Ministria e Shëndetësisë po përgatit një ligj të ri për barnat, i cili parasheh rregulla më të rrepta për disponueshmërinë, sigurinë dhe cilësinë e tyre, si dhe mekanizma për përballimin në kohë të mungesës së terapive të caktuara. Një nga risitë kryesore është edhe propozimi që falsifikimi i barnave të trajtohet si vepër penale.
Në konsultimin kombëtar, të organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, theksoi se ligji aktual daton nga viti 2007 dhe deri më tani është ndryshuar më shumë se 20 herë, prandaj është e nevojshme të miratohet një zgjidhje e re ligjore në tërësi.
Sipas paralajmërimeve, ligji i ri do të rregullojë ekskluzivisht fushën e barnave, ndërsa pajisjet mjekësore dhe veprimtaria farmaceutike do të rregullohen në të ardhmen me ligje të veçanta.
Rregulla të reja për mungesën e barnave
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është vendosja e procedurës së detyrueshme për raportimin e mungesës së barnave. Prodhuesit dhe bartësit e autorizimeve do të kenë detyrim që me kohë të informojnë për ndërprerjet e mundshme në prodhim ose furnizim, në mënyrë që institucionet shëndetësore të mund të sigurojnë terapi alternative.
Klekovski theksoi se një pjesë e madhe e këtyre situatave mund të parashikohen paraprakisht dhe se nevojitet koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve dhe furnizuesve.
Si shembull, ai përmendi barin „Dekotin“, për të cilin, sipas ministrit, aktualisht ekziston mungesë e vazhdueshme.
Parashikohen gjithashtu rregulla të reja për raportimin e efekteve të padëshiruara të barnave, si dhe harmonizimi i legjislacionit vendor me standardet evropiane.
Falsifikimi i barnave do të bëhet vepër penale
Ministri paralajmëroi se zgjidhja e re ligjore do të përfshijë edhe masa më të rrepta kundër barnave të falsifikuara. Për këtë qëllim do të nevojitet harmonizimi me Kodin Penal, me ç’rast falsifikimi i barnave do të përfshihet në mënyrë të veçantë në legjislacionin penal.
Sa i përket mungesës së terapive në klinika, përfshirë edhe Klinikën e Onkologjisë, Klekovski theksoi se do të kërkohen zgjidhje alternative për pacientët, ndërsa kontratat për prokurimet publike duhet të përmbajnë sanksione për furnizimet që nuk realizohen në afatin e paraparë.
Ministria planifikon gjithashtu bisedime me Fondin e Sigurimit Shëndetësor për vendosjen e planifikimit financiar afatgjatë gjatë prokurimit të barnave.
Barna të reja në listën pozitive në vitin 2027
Me ligjin e ri pritet të thjeshtohen një pjesë e procedurave për regjistrimin e barnave dhe të përmirësohet monitorimi i konsumit të tyre. Këto të dhëna do të jenë të rëndësishme gjatë vlerësimit të mundësive financiare për zgjerimin e listës pozitive të barnave.
Klekovski paralajmëroi se pret që gjatë vitit 2027 në listën pozitive të përfshihen barna të reja.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend, doktor Akim Ali, e përshëndeti përgatitjen e zgjidhjes së re ligjore, duke vlerësuar se një legjislacion modern është i domosdoshëm për të garantuar barna të sigurta, efikase dhe të qasshme për qytetarët.
Në përgatitjen e ligjit janë përfshirë përfaqësues të pacientëve, mjekëve, farmacistëve dhe industrisë farmaceutike. Vërejtjet dhe sugjerimet e tyre do të shqyrtohen para se propozim-ligji të dorëzohet në procedurë qeveritare.
