Kasami: Ka bisedime me Valbon Limanin dhe Isen Shabanin! Limani dhe Shabani demantojnë: Vazhdojmë të jemi ASH

TË FUNDIT

Skena politike po përballet sërish me spekulime për rikonfigurime të mundshme dhe kalime të kryetarëve të komunave, nga opozita tek pushteti. Kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, konfirmoi sot se po zhvillohen bisedime me figura opozitare, duke paralajmëruar edhe hapa konkretë në ditët në vijim.

“Në skenën politike në përgjithësi ka zhvillime të tilla, ka lëvizje të tilla, veçanërisht këtu tek ne kur e dimë që opozita është e përçarë dhe ka pakënaqësi mes shumë strukturave opozitare. Dhe në këtë drejtim janë edhe bisedimet të cilat po zhvillohen, dhe unë besoj që ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete.” “Domethënë ka bisedime, zhvillohen me Ismet Shabanin dhe Valon Limanin?” “Ka bisedime, por nuk do t’i zbuloj emrat sepse, domethënë, ditët në vijim do të kemi edhe veprime konkrete”, tha Kasami.

Përgënjeshtrimi nga dy kryetarët e komunave ka qenë i menjëhershëm. Përmes një deklarate publike, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, mohoi çdo mundësi të bisedimeve politike.

“Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim. Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike”, tha u shpreh Limani.

Nga ana tjetër, pas publikimit të një fotografie të kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, me shefin e SPB Tetovë, Rijat Aliti, vetë Shabani reagoi duke publikuar një fotografi të përbashkët me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari, të shoqëruar me mbishkrimin “Vazhdojmë”.

Që nga formimi i qeverisë së re ka pasur zëra të shumtë për lëvizje të mundshme të deputetëve apo kryetarëve të komunave, mirëpo deri më tani, i vetmi ndryshim mbetet ai i deputetit Ilir Demiri, i cili u largua nga subjekti i tij duke vepruar si i pavarur.