Nataliteti në rënie, mortaliteti në rritje – janë të dhënat shqetësuese statistikore për vendin tonë në 10 vitet e fundit. Më rëndë të goditura janë qytetet e vogla.
“Të dhëna shqetësuese për numrin e natalitetit në Kërçovë, por jo vetëm sepse e njëjta situatë është në gjithë Republikën e Maqedonisë. Në qytetin e Kërçovës në 10 vite numri i lindjeve ka rënë në mbi 50%, ndjekim tabelat më poshtë”, raporton Salije Sadiku Pinjolli – gazetare TV21.
Të dhënat e entit statistikor tregojnë se në vitin 2014 në nivel shteti ka pasur 23,569 lindje ndërsa në vitin 2024 ka pasur 16,061 – thuajse numri i përgjysmuar.
Në Komunën e Kërçovës në vitin 2014 ka pasur 474 lindje, ndërsa 10 vite më vonë në vitin 2024 ky numër është përgjysmuar në 255 lindje.
Sociologu Ismet Ballazhi këtë fenomen e lidh me shumë arsye socio-ekonomike, migrimi masiv që është faktori kyç si dhe mos marrja e masave nga politika.
“Shtetet e vogla janë të pafuqishme që të ndalin këtë hov. Në vendin tonë është një fatkeqësi që politikat shtetërore janë të pakta të mungueshme dhe nuk janë efektive që t’i dilet përballë këtij fenomeni i cili mund të jetë shkatërrues për të ardhmen”, deklaroi Ismet Ballazhi – Sociolog.
Ai thotë se të gjithë faktorët e vendit duhet te ulen dhe të krijojnë politika demografike të mirëfillta, në të kundërtën pas 10 vitesh do na presin shifra të frikshme të natalitetit.
“Përderisa nataliteti është në ulje, mortaliteti ka rritje, d.m.th. numri i të vdekurve është më i lartë se sa numri i të lindurve në 10 vitet e fundit”, raporton gazetarja e TV21, Salije Sadiku Pinjolli.
Në vitin 2014 në RMV numri I të vdekurve ka qenë 19,718, ndërsa në vitin 2024 ky numër ka shkuar në 20,201. Që i bie se ne vitin 2024 kemi 16.061 të lindur, ndërsa të vdekur janë evidentuar 20.201, mbi 4200 është më i vogël numri i lindjeve krahasuar me vdekjet për 1 vit.