Dy të rinj, shtetas të Kosovës, janë arrestuar pasi të njëjtit janë kapur duke vjedhur në një pompë benzine në Lezhë të Shqipërisë. Sipas Policisë, të njëjtit pas aktit, ishin nisur drejt Malit të Zi.
“Ata u lokalizuan nga shërbimet e Policisë, gjatë kohës që po tentonin të largoheshin drejt Malit të Zi, me automjetin që kanë përdorur për të kryer vjedhjen. Sekuestrohet automjeti. Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë dje, për vjedhje në një tabakino, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i 2 autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasve: A. S., 18 vjeç dhe T. I., 18 vjeç, të dy banues në Kosovë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, gjatë natës, kanë vjedhur produkte të ndryshme në një tabakino në aksin rrugor “Milot-Lezhë” dhe më pas kanë tentuar të largohen me automjet, drejt Malit të Zi”, thonë nga Policia e Shqipërisë.
