Komiteti për Politikë Monetare të Bankës Popullore vendosi që shkalla e interesit e bonove të interesit të rritet për 0,25% pikë dhe prej tani do të jetë 1,5%. Nga Banka Popullore thonë se kjo vjen si masë parandaluese për pritshmëritë e rritjes së inflacionit në kushte të vlerësimeve të mbajtura për mungesë të presioneve të shprehura nga kërkesa vendore dhe rreziqet e pranishme për të në periudhën e ardhshme.
“Gjatë sjelljes së vendimit të tillë në fokus ishin lëvizjet tek inflacioni dhe pritshmëritë e inflacionit. Ndryshe, shuma e ofertës së bonove të thesarit në ankandin e sotshëm është i pandryshueshëm, në fakt 10 miliardë denarë”, sqaron Banka Popullore e RMV-së.
Po a pritet që pas këtij vendimi të ketë edhe rritje të interesave bankare për kreditë? Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, tha se nuk do të ketë rritje të kamatave për kredi bankare.
“Mendoj se rritja është aq e vogël dhe nuk mendoj se do të ketë rritje të kamatave bankare. Unë vetëm për t’u përkujtuar do të them se në dy vitet e kaluara prej se kemi në krizë kamatat janë zvogëluar për një pikë përqindje nga Banka Popullore. Mendoj se në kamatat bankare nuk kishte reagime të këtilla që të rriten në më shumë se një pikë përqindje, pra edhe këtu pritjet janë se nuk do të ketë në këtë moment rritje të kamatave bankare”.
Nga Banka Popullore thonë se rezervat e devizave mbesin në nivelin më të lartë në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, ndërsa sipas të dhënave preliminare për muajin mars, rritja vjetore e kredive është solide dhe mbi tremujorin e parë të projektuar për këtë vit, në përputhje me projeksionin e tetorit
