Kohët e fundit është rritur numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe sulmet verbale ndaj tyre. Kjo ka brengosur Kryetarin e SHGM-së Mlladen Çadikovski i cili ka ngritur disa procedura në gjykatë. Ai përmendi rastin e ekipit të TV21 në Haraçinë, kërcënimet ndaj gazetarit të Tv24, dhe kërcënimet verbale për jetë ndaj ekipit të 1Tv. Sipas tij këto kërcënime përfaqësojnë një shkelje brutale të të drejtave të gazetarëve dhe një përpjekje për censurë në media. Çadikovski u bëri thirrje gjykatave dhe Prokurorisë Publike që të fillojnë përpunimin e këtyre rasteve dhe t’i zgjidhin ato.
“Kanë ndodhur shumë incidente, të cilat më herët nuk ishin të pranishme. Shohim rritje të kësaj tendence. Kjo na brengos dhe pikërisht për këtë duhet të ndërpritet praktika e cila nuk dënon, që të ndërpriten këto dukuri. Ne si SHGM kemi ngritur procedura, por duhet të shohim a janë duke i procesuar institucionet”, deklaroi Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Mlladen Çadikovski.
Nga ana tjetër Katerina Sinadinova, nga Këshilli për etikë të mediave tha se nga ana e gazetarëve nuk janë vërejtur shkelje të mëdha të kodit etik. Por sipas saj kanë arritur ankesa në lidhje me fushatën zgjedhore, ndërsa përmendi edhe raportimet për vetëvrasje.
“Hera e fundit kur kemi reaguar ka qenë në lidhje me informimin për vetëvrasjet dhe se si gazetarët duhet të informojnë për vetëvrasje. Sa i përket fushatës në përgjithësi, kemi ankesa, por komisioni duhet të takohet dhe të sjellë vendim për to. Fushata vazhdon ende, duhet të presim të mbaron. Në fushatë nuk vërejtëm shkelje të thella, që të bëjmë veprime të tilla. Pra ne presim ankesa, i përpunojmë dhe në fund mund të themi në cilën pjesë ka qenë më shumë i shkelur kodeksi i gazetarëve dhe cilat kanë qenë shkeljet më të mëdha”, theksoi Katerina Sinadinova nga Këshilli për Etikë të Mediave.
Ndryshe “Rrjeti i luftës kundër gjuhës së urrejtjes” u promovua zyrtarisht në fund të janarit të këtij viti, dhe sot kësaj fushate iu bashkëngjit edhe Asociacioni i mediave të shtypura. Lirim Dullovi, nga ky asociacion tha se në fazën e parë do të fokusohen në vetëdijesimin e popullatës ndaj pasojave të gjuhës së urrejtjes, kurse në fazën e dytë do të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet kompetente, për gjuhën e urrejtjes.
Përgatiti: Almedina Ismajli
