Kështu duken nga brenda hapësira e kopshtit “Lulja e majit” që ndodhet në lagjen Taftalixhe 2 të komunës së Karposhit. Kjo pasi gjatë fundjavës nga moti me shi ka rënë tavani.
“Gjatë fundjavës në dy hapësira të objektit, të kopshtit “Lulja e majit” është rrënuar tavani, por për fat të mirë meqë ka qenë ditë jo pune, nuk ka të lënduar”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.
Kryetari i Komunës Stevço Jakimovski sot në mëngjes doli për inspektim.
“Çfarë uji nuk ka asnjë pikë uji, si është paraparë këtu izolimi, ja nuk ka asnjë gram izolimi ka vetëm karton gipsi, ja këtu nuk ka fare izolim, nuk është e mundur mos të ketë aspak izolim të paraparë në projekt”, pohoi Stevço Jakimovski – kryetar i Karposhit.
Ndërkaq për TV21 shpjegoi se si ka ndodhur rrjedhja e ujit që e ka shkaktuar shembjen e tavanit. Thotë se ka lëshime gjatë projektimit.
“Ulluku shkon kështu pastaj lëshohet këtu dhe kjo është pjesa e fshehur, ulluku vjen te pjesa mbi murin dhe një pjesë hyn brenda, e kur kjo do të mbushet me ujë, pikon në gips kartonin dhe kur laget kjo bie teposhtë”, deklaroi Stevço Jakimovski – kryetar i Karposhit.
“Unë në shtëpinë time çdo pranverë dhe vjeshtë i pastroj ulluqet, unë nuk e di si e lejojnë drejtorët këtë”, thotë Jakimovski dhe fton projektuesit që të jenë më të kujdesshëm kur bëhet fjalë për objekte të tilla ku ka fëmijë.
“Është evidente se janë mbledhur gjethe, drunjtë që kanë nga degët, pluhur dhe e gjitha kjo ka krijuar një grumbull më të madh dhe ka bllokuar rrjedhjen vertikale të ullukut, kur është mbushur ulluku atëherë është derdhur brenda, nga nën vargu ka hyrë në izolim së pari dhe pastaj kur janë lagur edhe kartonët e gipsit atëherë janë shembur, kanë rënë”, tha Stevço Jakimovski – kryetar i Karposhit.
Drejtoresha e kopshtin “Lulja e majit” nuk e pranoi ekipin e TV21 për deklaratë, për të na treguar se si dhe kur ka rënë tavani. Jakimovski na tregoi se fëmijët po përkujdesen në hapësirat e tjera të objektit.
Përndryshe pikërisht ky objekt u ndërtua përpara tre vjetësh, ndërsa vitin e kaluar ish-kryemistri Zoran Zaev bashkë me ish-ministren e punës dhe politikës sociale Jagoda Shahpaska dhe ish-kryetarin e Karposhit Stefan Bogoev vizituan kopshtin, me rastin e Ditës Botërore të Efikasitetit së Energjisë.
“Në vend të stiropolit tani fasadat dhe pajisjet tjera në objektet publike janë me efikasitet energjetik”, deklaroi Zoran Zaev, ish-kryeministër (05.03.2021).
