Kurti propozon dy masa urgjente pas vrasjes së Arlinda Zekës

TË FUNDIT

Kryeministri Albin Kurti,ka propozuar dy ndërhyrje konkrete për të parandaluar vrasjet e grave dhe për të siguruar llogaridhënie institucionale, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Kurti ka kërkuar që Ministria e Punëve të Brendshme, përmes strukturave kompetente të Policisë, të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të të gjitha rasteve aktive me rrezik të lartë.

Ai ka propozuar që për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për përcjelljen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale.

Kjo ndërhyrje, sipas Kurtit, duhet të përfshijë edhe zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

“Prandaj, të nderuar deputetë, edhe unë i bashkëngjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete. Të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale, përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike”, tha Kurti.

Masa e dytë e propozuar nga kryeministri në detyrë është që Ministria e Drejtësisë të përgatisë, brenda të njëjtit afat prej 72 orësh, një raport të detajuar për mënyrën se si kanë vepruar institucionet në rastin e Arlinda Zekajt.

“Gjithashtu, brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardhë gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zinxhirit institucional në këtë rast”, deklaroi Kurti.

Ai ka theksuar se rasti i Arlindës kërkon jo vetëm zbardhjen e rrethanave të vrasjes, por edhe shqyrtimin e përgjegjësisë së secilit institucion që ka pasur detyrimin për ta mbrojtur atë.

Sipas Kurtit, pavarësia e sistemit të drejtësisë nuk nënkupton mungesë përgjegjësie për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve.

“Të qenit i pavarur nga ndikimi i jashtëm nuk do të thotë që je i pavarur nga përgjegjësia, nga profesionalizmi, nga integriteti e urtësia që domosdo duhet të zotërosh si autoritet i sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Kurti ka kritikuar mënyrën se si mund të trajtohen rastet kur gratë kërkojnë mbrojtje nga dhuna, duke thënë se institucionet duhet t’i marrin seriozisht paralajmërimet për rrezik.

“Në raste si ky, kur viktima kërkon mbrojtjen e tij, nuk ia jep ankesës së saj tërë peshën e përgjegjësisë tënde ndaj pozitës, ndaj shtetit e ndaj vetvetes, gjithsesi ke dështuar”, u shpreh Kurti.

Ai ka theksuar se autoriteti publik duhet të ushtrohet në shërbim të qytetarëve dhe se zyrtarët e sistemit të drejtësisë kanë përgjegjësi të veçantë kur vendimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe jetën e njerëzve.

“Askush nuk është ulur në kolltukun e pushtetit që t’ia lejojë vetes ta presë një grua të dhunuar me pyetjen: ‘Çka i ke bërë burrit të ashtu?’”, tha Kurti.

Sipas tij, një qasje e tillë rrezikon t’ia ngarkojë viktimës përgjegjësinë për dhunën që ka përjetuar, në vend që institucionet të përqendrohen te mbrojtja e saj.

Kurti ka folur edhe për faktorët shoqërorë dhe ekonomikë që mund t’i vështirësojnë gratë të largohen nga marrëdhëniet e dhunshme, duke përmendur varësinë ekonomike, mungesën e strehimit dhe ekspozimin e vazhdueshëm ndaj kërcënimeve.

Ai ka theksuar se përgjegjësia për dhunën i takon personit që e ushtron, ndërsa institucionet kanë për detyrë të sigurojnë mbrojtjen e grave që përballen me rrezik.

“Përgjegjësia për dhunën mbetet tek ai që e ushtron, përgjegjësia për mbrojtjen duhet të përmbushet nga institucionet që e kanë marrë përsipër”, deklaroi Kurti.

Në fund të fjalimit, ai ka kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe masa konkrete për gratë që aktualisht jetojnë nën kërcënim.

“Për Arlindën kemi detyrimin e drejtësisë. Për gratë që sot jetojnë nën kërcënim kemi detyrimin e mbrojtjes në kohë. Për secilën prej tyre kemi përgjegjësinë që dinjiteti i njohur me ligj të përjetohet si siguri dhe liri konkretisht në jetën e përditshme”, tha Kurti.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është shpallur në kërkim nga Policia dhe, sipas informatave të bëra publike, ndodhet në arrati.