Sasho Mijallkov konfirmon: Merret pistoleta e tij në aeroportin e Beogradit

TË FUNDIT

Për incidentin e djeshëm të ndalimit të Sasho Mijallkovit në Aeroportin e Beogradit, të cilin e publikuan mediat e Serbisë, deklarohet ish-shefi i sherbimit sekret të Maqedonisë.

Mijallkovi për portalin “Press 24” e pohon incidentin ku merret pistoleta e tij personale në aeroportin e Beogradit të enjten. Ai ka thënë se duke u përgatitur për rrugë, ka marrë një çantë, të cilën nuk e ka kontrolluar. Pistoletën e kanë zbuluar në çantën e tij në rentgen në Aeroportin e Beogradit. Mijallkovi ka deklaruar se pistoleta e tij është marrë, kurse ai e ka vazhduar udhëtimin e vet. Mijallkovi për “Press 24” thotë se bëhet fjalë për një pistoletë private, të cilën e posedon me leje dhe se nuk posedon armë zyrtare, sepse e ka dorëzuar pas mbarimit të funksionit.

Kompania TAV, e cila udhëheq me aeroportin Aleksandri i Madh në Shkup, në deklaratë për portalin e “Fokus”-it thotë se aeroporti ndjek të gjitha procedurat e sigurisë të kërkuara sipas rregulloreve ndërkombëtare dhe vendore. Sipas TAV, bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe gabim individual në zbatimin e procedurave të sigurisë, të cilat gjithmonë respektohen në këtë aeroport. TAV për “Fokus” ka theksuar do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të evituar incidente të ngjashme në të ardhmen. Kompania shton se hetimi i brendshëm është në vazhdim, dhe kushdo që ka përgjegjësi për këtë ngjarje do të ballafaqohet me përgjegjësi sipas rregullave të kompanisë.