Rindërtimi i Sallës Universale assesi të realizohet! Ka pothuajse një vit që salla ka mbetur e rrethuar nga llamarinat, por aty asgjë nuk po punohet. Objekti në të cilin dikur mbaheshin koncerte e ngjarje kulturore, për kohë të gjatë është në gjendje të këtillë. Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në një intervistë për “Sitel” ka folur rreth procedurës së kalimit të kompetencave të Sallës universale dhe se ku ka ngecur procedura e finalizimit të rikonstruktimit.
“Përse është e rëndësishme Salla Universale, kjo ngaqë gjithçka që ka ndodhur gjatë kohë në këtë sallë, tani nuk ka ku të realizohen dhe janë ngarkuar shumë të gjitha institucionet që e ofrojnë atë hapësirë për realizimin e ngjarjeve e koncerteve. Ne ishim bashkë me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale në takim te kryetarja, ku ajo ra dakord që të bëjmë ndërrim të investitorit, në fakt Ministria e Kulturës do të paraqitet si investitor, do ta ndërtojmë Sallën Universale dhe më pas do t’ia kthejmë përsëri qytetit të Shkupit ngaqë nuk mund të bëjmë proces në kundërshtim me decentralizimin”, deklaroi Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës.
Mjetet janë ndarë, por për të nisur procesi i ndërtimit të këtij objekti duhet të dihet gjendja aktuale. Një dokument të tillë ministrja Kostadinovska-Stojçevska thotë se po e pret tashmë tre muaj nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska.
“Tash e tre muaj nuk kemi asnjë përgjigje ngaqë edhe ky ndryshim i investitorit edhe për ndryshimin që ramë dakord, duhet të kalojë nëpërmjet këshillit të Qytetit të Shkupit, duhet të votohet”, tha Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës.
Kërkuam përgjigje nga Qyteti i Shkupit se përse nuk ia dorëzon dokumentacionin e nevojshëm Ministrisë së Kulturës, por deri tani nuk na kthyen përgjigje.
Përndryshe Salla Universale ka 7 vite që është jashtë funksionit. Së pari ish-kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski kishte projekt për të ndërtuar sallë të re nga themeli, por më pas në pushtet erdhi Petre Shilegov, i cili për ta ruajtur autenticitetin, tha se salla vetëm do të rikonstruktohet.
