Pacientët ankohen se për termin dhe rezultate për rezonancë magnetike në Klinikën e Radiologjisë pritet shumë gjatë.
“Shumë shumë kemi pritur, dy tre orë edhe nuk munda të kryej punë.
E pastaj sa pritet për rezultate?
Deri javën tjetër duhet të pres.
Një javë?
Kam pritur një muaj dhe nuk ka asgjë.”
“Për 10 ditë ma caktuan terminin.
E pastaj për sa rezultate?
Njërin e mora menjëherë, tani për të barkut që duhet nuk e di do ta shohim.”
Drejtoresha e Institutit të Radiologjisë nuk diti të përgjigjet se sa pritet për termine e rezultate, ndërsa fajin ia lë mjekëve dhe pacientëve, duke deklaruar se keqpërdoren termine pa nevojë.
“Kemi tre aparatura për diagnostifikim magnetik, është shumë interesant dhe shumë i kërkuar, madje i keqpërdorur si metodë. Mendoj se këtu qëndron problemi themelor. Disa punësime i kemi realizuar dhe në procedurë janë aktivitete për kuadro shtesë.
Sipas jush, sa pritet për lexim të rezultateve?
Nuk di ta them këtë. Është e nevojshme të bëhet një triazh i saktë i pacientëve, do të thotë të përcaktohet se cili pacient është urgjent për magnet, t’i jepet përparësi.”0 deklaroi Gordana Antuleska Belçeska – Drejtoreshë e Radiologjisë.
Në këtë drejtim Ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se do të monitorohen të gjithë mjekët në “Termi im” që i referojnë pacientët për rezonancë magnetike, pasi sipas tij po abuzohet me këtë procedurë.
“Ajo që do t’ju them është se ne do t’i ashpërsojmë kontrollet tek specialistët e neurologjisë, do t’i monitorojmë ata, ne tashmë po dërgojmë kontrolle, i kemi dërguar kudo në mënyrë që të mos ndodh kjo sepse ne të gjithë jemi dakord që me të vërtetë po abuzohet. Të gjithë kemi njerëz te dashur, duam diçka jashtë rregullave por duhet të respektojmë njëri-tjetrin, sepse vërtet ai që ka nevojë nuk do ta marrë termin kur duhet.”- tha Fatmit Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë.
Ndryshe Instituti për Radiologji sot u bë me aparat të ri digjital rentgen RTG për fotografime dinamike fluoroskopike dhe radiografike të fëmijëve. Është blerë nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë të përgjithshme prej 23 milionë denarë.
