Rutte nga Berlini: Rusia kërkon të na përçajë, por ne jemi më të fortë

TË FUNDIT

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar nga Berlini se Aleanca është e bashkuar dhe më e fortë se Rusia, pavarësisht përpjekjeve të Moskës për të përçarë vendet anëtare.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, Rutte tha se NATO qëndron në krah të Gjermanisë pas asaj që e cilësoi si sulm hibrid rus në Leipzig.

“Rusia kërkon të na përçajë, por ne jemi të bashkuar. Rusia kërkon të na pengojë të ndihmojmë Ukrainën, por ne do të bëjmë edhe më shumë për Ukrainën. Rusia kërkon të tregojë forcë, por ne jemi më të fortë”, tha Rutte.

Ai vlerësoi reagimin e Gjermanisë ndaj incidentit dhe theksoi se vendet anëtare të NATO-s i kanë shprehur mbështetje Berlinit.

Sipas Rutte-s, Aleanca po forcon kapacitetet parandaluese dhe mbrojtëse, ndërsa po rrit presionin ndaj Rusisë edhe përmes masave kundër të ashtuquajturës “flota në hije” dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike, përfshirë dislokimin e forcave në Detin Baltik.

Duke folur për Ukrainën, Rutte e cilësoi Gjermaninë si mbështetësen më të fortë të Kievit dhe falënderoi ministrin Wadephul për angazhimin e tij.

Ai përshëndeti gjithashtu planin e Gjermanisë për të rritur shpenzimet bazë për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2029.

Rutte tha se industria gjermane e mbrojtjes, nga kompanitë e mëdha deri te startup-et, po rrit prodhimin dhe po kontribuon në forcimin e sigurisë së NATO-s.

Në fund, ai theksoi se NATO do të vazhdojë të përshtatet për të garantuar sigurinë e rreth një miliard qytetarëve të vendeve anëtare dhe vlerësoi rolin e Gjermanisë në Aleancë dhe mbështetjen e saj për Ukrainën.