Vazhdojnë vështirësitë në ndërtimin e rrugës Kërçovë-Dibër. Shembja e dheut është bërë pengesë e madhe për përfundimit e këtij aksi që ka nisur prej kohësh. Sapo u hap traseja dhe filloi asfaltimi, filluan shembjet e dheut dhe shkëmbinjve, me çka paralizohet puna e nisur dhe që ka arritur drejt fundit.
“Ndodhemi në rrugën regjionale Kërçovë-Dibër që është e gjatë 19km, ka filluar të ndërtohet prej vitesh është hapur tresja, janë vendosur anësoret megjithatë nuk është asfaltuar. Arsyeja për mosafaltimin e saj është pikërisht shembja e dheut e cila vjen nga shkëmbinjtë e maleve të cilat janë gërryer, duhet të ndërtohen muret anësore më pas të asfaltohet që të lëshohet në përdorim, sipas burimeve të TV21 janë asfaltuar vetëm disa kilometra nga Dibra deri diku, atje ku nuk shembet dheu”, raporton Salije Sadiku Pinjolli, gazetare TV21.
Kompania ndërtuese “Ilinden” disa herë ka treguar për TV21 se këto pengesa kanë qenë jasht parashikimit të tyre. Shprehen se pa muret mbrojtëse gjithçka është e kotë, e për ketë kërkuan mjete shtesë nga Ndërmarrja “Rrugët Shtetërore “. Nga kompania thonë se rruga do të jetë gati deri në fund të dhjetorit.
“Siç ju kam thënë edhe më herët, kemi probleme teknike me paraqitjen e rrëshqitjeve të dheut, për të cilat po presim zgjidhje teknike nga investitori. Aktualisht janë asfaltuar vetëm rreth 5 km, një pjesë më e madhe është në proces të vendosjes së bordurave dhe po përgatitet për asfaltim, ndërsa për disa pjesë do të duhet të presim zgjidhje teknike, për të cilat mendoj se do të zgjidhen muajin e ardhshëm. Afati që e kemi, fundi i dhjetorit 2025, do të respektohet”, theksoi Rade trajkovski – kompania”Ilinden”.
Dy muaj më parë kur TV21 kërkoi qëndrim nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” për mjetet shtesë që duhet të ndahen për të vendosur muret mbrojtëse, na thanë se janë parashikuar mjete për përfundimin e kësaj rruge në Planin Vjetor të Prokurimeve Publike për vitin 2025.