Kjo rrugë që po shihini filloi të rikonstruohet në shtator të vitit 2020, edhe tani e pesë muaj kjo rrugë është në këtë gjendje .Kjo rrugë lidh shumicën e fshatrave të Komunës së Zhelinës, por e njëjta nuk është në kompetencë të kësaj komune. Nga Komuna e Zhelinës na thonë se kjo rrugë është duke u rikonstruar pas 40 viteve.
“Për ne si Komunë e Zhelinës, rruga rajonale Tetovë-Shkup ka qenë prioritet dhe kërkesë e jona që të rikonstruohet sa më parë, me qëllim përmirësimin e kushteve të infrastrukturës rrugore, kur e dimë edhe faktin se kjo rrugë është ndër më të frekuentuarat në shtet”, thonë nga Komuna e Zhelinës.
Dhe për këtë, ne kemi arritur sukses, që sot kjo rrugë edhe pse nuk është në kompetencë të pushtetit lokal, të riasfaltohet pas 40 viteve.
Qytetarët që kalonin në këtë rrugë shprehen se janë të revoltuar por vetëm disa nga ata pranuan që të flasin para kamerës, ata kërkojnë nga Ndërmarrja Rrugët shtetërore që sa më shpejt ta përfundojnë këtë rrugë.
“U desht Rrugët e Maqedonisë e mori tenderin dhe nuk e përfundon nuk e dimë se ku kanë ngelur punët. Veturat shumë por kisha bërë apel rrugëve të Maqedonisë që atë kohë sa rregullojnë rrugën ne të kalojmë nga autobani se I thyem me amortizer me gjithë”, tha një banor.
“Kjo rrugë është dëmtuar shumë erdhën për ta rregulluar por e prishën të gjithën por e keqja është se në autoban duhet të paguajmë 40 denar për të shkuar në Tetovë apo Zhelinës nuk e dijë kjo është katastrofë kursemë më mirë u bë më keq”, tha një banor.
Kontaktuan edhe Ejup Rustemin drejtorin e Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”. Ai në një përgjigje na tha se shkaktar për mos asfaltimin janë kushtet atmosferike.
“Deri më tani 1.2 kilometra rrugë janë asfaltuar me shtresën e parë ndërsa 1.4 kilometra rrugë ka ngelur vetëm me tampon, ndërmarrja e cila ka tenderin e kësaj rruge është duke e mirëmbajtur këtë rrugë me tampon që të mos ketë gropa , ndërsa temperaturat e ulta dhe kushtet atmosferike nuk lejonë që kjo rrugë të asfaltohet tani për tani. Sa po të përmirësohen kushtet do të fillohet edhe me asfaltimin e kësaj rrugë”, deklaroi Rustemi.
Derisa temperaturat të rriten edhe deri sa të krijohen kushtet atmosferike qytetarët e fshatrave të Dërvenit të Pollogut do të duhet të ecin me kilometra rrugë në baltë dhe rërë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës që ka ngelur pa u gërryer asfalti është përplot me gropa dhe e shkatërruar.