“Rruga e shkrimtarëve” në Strugë është shkatërruar tërësisht. Pakujdesia e institucioneve ka bërë që të duket si një vend i harruar dhe jo si një vlerë historike e kulturore e qytetit. Janë thyer bustet e shkrimtarëve dhe ulëset, ndërsa bari ka mbuluar gjithçka dhe mbeturina shihen kudo. Partitë opozitare fajin e hedhin tek komuna për moskujdes ndaj kësaj pjese të Strugës.
“Kjo qeverisje nuk bënë asnjë kujdes për bustet të cilat janë të rëndësishme për
historinë e Maqedonisë, kjo dyfytyrësi nuk ka kufi nga ana e tyre, sepse ata nuk kanë asgjë kundër busteve të shteteve të huaja”, tha Alen Dereban, këshilltar i VMRO-DPMNE-së.
Për këtë vandalizëm, ditë më parë kanë reaguar edhe nga Komuna e Strugës të cilët kërkojnë nga organet e rendit që sa më shpejtë të gjendet kryerësi.
“Komuna e Strugës reagon ashpër ndaj këtij akti keqdashës dhe bëjmë thirrje te organet kompetente që të ndërmarrin masa për gjetjen e bustit, por edhe të autorëve vandalë. Njëkohësisht, bëjmë thirrje edhe te qytetarët struganë nëse kanë ndonjë informacion që të paraqiten te komuna ose te stacioni policor në Strugë. Struga është qytet multientik, multikulturor dhe multifetar dhe kohezioni që mbretëron midis të gjithë qytetarëve, pa dallime, është shembull unik se si qytetarët bashkëveprojnë dhe bashkëjetojnë me një nivel të lartë të tolerancës dhe mirëkuptimit në shumë sferat të jetës së përditshme”, thonë nga Komuna e Strugës.
Struga njihet si qytet i poezisë, por turistët që e vizitojnë qytetit, vështirë të marrin përshtypje të tillë, sepse në të nuk ka as tabela e as të dhëna për këtë pjesë të qytetit.
