Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – Transport përballen me humbje të mëdha financiare dhe probleme serioze me funksionimin e trenave. Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, humbjet e akumuluara të kompanisë arrijnë në rreth 109.8 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 ka regjistruar humbje prej 5.4 milionë eurosh.
Sipas raportit, nga gjithsej 62 lokomotiva, vetëm 9 janë në funksion, ndërsa nga 16 trenat për udhëtarë, vetëm pesë janë të rregullt. Kompania ka 47 vagonë për udhëtarë, por vetëm dy përdoren për transport të rregullt. Gjendja është shqetësuese edhe me vagonët e mallrave. Nga 1.382 vagonë, vetëm 378 kanë revizion të vlefshëm, ndërsa 1.004 janë jashtë komunikacionit.
Revizorët kanë konstatuar edhe parregullsi në menaxhimin e rezervave dhe karburantit, shpenzime të larta të ujit, detyrime të papaguara dhe dobësi në evidencat financiare.
Sipas raportit, vjetërsia e lokomotivave dhe vagonëve, si dhe investimet e pamjaftueshme në mirëmbajtje, ndikojnë në sigurinë dhe efikasitetin e transportit hekurudhor. Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë rekomandime për tejkalimin e problemeve të konstatuara.
