Pagat e të punësuarve në Armatë rriten për 10% nga 1 janari 2027

TË FUNDIT

Pagat e të punësuarve në Armatë dhe në sektorin e Mbrojtjes do të rriten për 10 për qind nga 1 janari i vitit 2027, përcjell TV21. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.

Ai tha se bëhet fjalë për rritjen më të madhe historike në vlerë absolute, e cila do të përfshijë pagën bazë dhe të gjitha komponentët e tjera të pagës.

“Kam premtuar se do të punoj së bashku me sindikatat dhe Armatën që ky institucion të jetë më i miri në shtet. Me këtë hap, sa u përket të ardhurave, vërtet bëhemi një nga institucionet më të mira në vend”, deklaroi Misajllovski.

Ai shtoi se me buxhetin e ri janë paraparë të gjitha nevojat për vitin e ardhshëm, si dhe një rritje e përgjithshme e buxhetit. Sipas tij, buxheti është miratuar në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa për Mbrojtjen janë paraparë 2 miliardë denarë më shumë në vitin 2027.

Përfaqësuesit e sindikatave përfaqësuese në Mbrojtje dhe të ushtarëve profesionistë, Siniša Stançevski dhe Adnan Aliti, e përshëndetën rritjen prej 10 për qind, duke theksuar se janë të kënaqur me marrëveshjen e arritur përmes dialogut social.