Rrahja e 14-vjeçares në Kumanovë, masa për të dyshuarën! Sociologu: Dhuna mes të rinjve kërkon trajtim urgjent

TË FUNDIT

Gjykata themelore e Kumanovës me kërkesë të Prokurorisë publike vendosi për masën e kujdesit me detyrim paraqitje për 18 vjeçaren P.A. e dyshuara e parë për rrahjen brutale te 14 vjeçares L.I. në Kumanovë, ndërsa për dy të miturat tjera E.SH.16 dhe M.K.14 të cilat morën pjesë në rrahje dhe e filmuan viktimën do të ndiqen penalisht në liri për veprën penale dhunë, sipas nenit 386 të Kodit Penal.

 “Më 13.03.2026 rreth orës 18:00, të dyshuarat e kanë thirrur një vajzë 14-vjeçare që të dalë nga shtëpia e saj, pas së cilës e kanë bindur të hyjë në një dhomë pranë qendrës sportive “Sokolana” në Kumanovë. Atje, së pari e kanë fyer, e më pas e kanë sulmuar fizikisht, duke e regjistruar të gjithë incidentin me telefon celular. Pas dhunës, të dyshuarit e kanë kërcënuar të miturën që të mos e raportojë incidentin dhe të mos flasë për videon e regjistruar, duke e kërcënuar se përndryshe do t’i ndodhë diçka edhe më e keqe”, thonë nga SPB-Kumanovë.

Të dyshuarat që shihen në pamjet filmike,  sipas policisë e kanë përsëritur veprën me viktimën e njëjtë gjatë këtyre 4 muajve si dhe me tjera vajza të mitura me përdorim të dhunës dhe filmimin e tyre. Për fenomenin e përsëritur sociologët kërkojnë masa urgjente nga autoritet. Profesori Vaid Xhemaili thotë se ky frustrim social përveç dhunës fizike dhe linçimit përmes rrjeteve sociale duhet të trajtohet nga autoritet me shumë seriozitet në mënyrë që adoleshentët mos të bëhen viktima.

 “Trajtuar në aspektin profesional për fat të keq këto tashmë janë dukuri, të cilat na shqetësojnë të gjithëve si qenie njerëzore, institucionet dhe shoqërinë. Faji duhet kërkuar në rrafshin më të gjerë për shkak të një situate të krijuar nga gjeneratat e reja që kanë një qasje të pakontrolluar të rrjeteve sociale që kanë ndikim të fuqishëm në formësimin e personalitetit të tyre dhe po lënë pasoja për fat të keq. Pasojat janë jashtë zakonisht të mëdha për viktimat sidomos, e përmend në rend të parë”, theksoi Vaid Xhemaili, sociolog.

Brenda vitit ky është rasti i tretë që grupe adoleshentësh dhe fëmijësh përfshihen në përleshje dhe filmohen me qëllim të postimit në rrjetet sociale. Një rast i ngjashëm i dhunës ndaj një viktime ka pas ndodhur edhe në Tetovë dhe një tjetër rast në Shkup. Kujtojmë që Ministria e Arsimit nga shtatori do të zbatojë programin me psikologë për detektimin e shenjave të hershme të delikuencës dhe përdorimit të dhunës nëpër shkolla, që vjen si pasoj e dhunës nëpër familjet e tyre.