Maqedonia e Veriut ka regjistruar rastin e parë me varantin “indian” të koronavirusit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka konfirmuar se pacienti ishte i shtrirë në një spital privat që nga java e kaluar dhe se gjendjen shëndetësore e ka stabile.
“Sipas anketës epidemiologjike, pacienti është kthyer nga Iraku, ku paraprakisht ka qenë 10 ditë i sëmurë dhe i hospitalizuar, kur është kthyer në vend menjëherë me automjet të veçantë është dërguar në spital. Gjendja e pacientit është stabile dhe nuk ka shenja të rrezikut”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndonëse numri i të infektuarve me Covid-19 po bie, në mbledhjen e sotme Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk vlerësoi se masat anti-covid ose ora policore duhet të hiqet. Masat aktuale, si kufizimi i lëvizjes nga ora 24:00 deri në 4 të mëngjesit dhe protokollet e objekteve hotelierike ngelen në fuqi. Po ndryshe nga ekspertët shëndetësor mendon Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. I njëjti vlerëson se ka hapësirë që të lehtësohen masat për organizimin e dasmave dhe të ahengjeve tjera.
“Sa i përket organizimit të dasmave është çështje e cila propozohet nga ana e Komisionit për sëmundje infektive. Nesër në kuadër të seancës së Qeverisë do ta shqyrtojmë këtë çështje dhe në bazë të situatës epidemiologjike, mendoj se ka hapësira të lirohen masat sa i përket organizmit të dasmave dhe ahengjeve të ndryshme”, u shpreh Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Në përputhje me të dhënat e Institutit për shëndet publik në 24 orët e fundit janë realizuar 1.375 teste, prej të cilave është regjistruar 1 rast i ri me Covid-19 edhe atë nga Kumanova. Si pasojë e virusit kanë ndërruar jetë tre persona. Përndryshe të hënën e ardhshme pritet që të mblidhet edhe njëherë komisioni dhe të vendos për zbutjen e masave kundër koronës.
