Kastriot Rexhepi, nënkryetar i Lëvizjes Besa, mbrëmë në “Click Plus” tha se “Besa” ende është pjesë e Qeverisë. Dorëheqja e ministrit, Arjanit Hoxha dhe dy zëvendësministrave të tjerë, sipas Rexhepit nuk do të thotë që BESA nuk është më pjesë e shumicës parlamentare.
“Lëvizja Besa është në Qeveri. Nëse duan dhe janë vendosur që të mos jenë në Qeveri, nëse vendosin organet partiake atëherë ta respektoj edhe unë. Por hajde të debatojmë, t’i shohim argumentet pse neve duhet të mos jemi në Qeveri”, tha Kastriot Rexhepi – deputet i Lëvizjes Besa.
Edhe kryeministri Zoran Zaev për “Sloboden peçat” pohon se Besa është zyrtarisht pjesë e qeverisjes aktuale.
“Normalisht që Besa është pjesë e Qeverisë. Kuvendi ende nuk i ka konstatuar dorëheqjet e ministrit Arjanit Hoxha dhe as personave të tjerë udhëheqës të Besës. Prandaj është e logjikshme të thuhet se janë pjesë e Qeverisë”, deklaroi Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Megjithatë, Arjanit Hoxha për TV21, thotë se si mund të jesh pjesë e Qeverisë, kur deputetët e Besës morën hap për rrëzimin e Qeverisë. Bën thirrje që kryeministri urgjentisht t’i deponojë dorëheqjet e tyre dhe Kuvendi t’i konstatojë në afat sa më të shpejtë.
“Dy deputet të Besës ishin në seancën e mocionit për mosbesim të Qeverisë. Unë dhe dy zëvendësministrat deponuam dorëheqjen. Kryeministri le t’i deponojnë në Kuvend dhe e shohim saktë a jemi apo s’jemi pjesë e Qeverisë”, u shpreh Arjanit Hoxha – Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.
Hoxha se bashku me dy zëvendësministrat e tjerë ditën e premte deponuan dorëheqjet në Qeveri, megjithatë ekzekutivi ende nuk i ka dorëzuar dorëheqjet e tyre në Kuvend. Thonë se ende nuk është vendosur se kur do të dorëzohen sepse nuk ka afat ligjor, por shtojnë se së shpejti do ta bëjnë një gjë të tillë.
