Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen prej tre ditësh në Tiranë. Me sfond një prej kioskave të djegura në qendër të Tiranës, Rama përsëriti dhe njëherë, se kjo nuk është dorë e studentëve, por siç e quan ai “është dorë e opozitës”. Rama tha se ata që fshihen pas këtij kaosi, po i rrezikojnë jetën të miturve, duke i maskuar e nxitur drejt dhunës e shkatërrimit..
“Kjo nuk ka lidhje me studentët, e gjithë kjo flakë nuk është studentore. E gjithë kjo pengmarrje me maska s’ka të bëjë me hallet, problemet, aspiratat e gjithkujt që do të jetë më i mirë. Është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare. Që është gati të djegë e ta shkatërrojë përsëri Shqipërinë. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët, e as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore s’kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, si mund të nxiten të miturit të vënë maska, të shkulin trotuarët që mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke u hedhur në rrugë për agjentë të tjerëkujt”, tha Rama.
