Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit që të hapen negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Këtë rekomandim e dha sot para Parlamentit Evropian komisioneri i BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, i cili prezantoi progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut jo vetëm që vazhdon me agjendën e saj ambicioze për reforma, por marrëveshja historike me Greqinë e zgjidhi çështjen shumëvjeçare me emrin. Po ashtu marrëveshja me Bullgarinë është edhe një shembull për përforcim të bashkëpunimit rajonal dhe kjo është shembull i ndritshëm për shtete e tjera dhe reflektim i mirë për perspektivat evropiane për të gjitha shtetet. Të gjitha shtete i kanë plotësuar reformat, veçanërisht në fushat që Këshilli njëzëri i ka dhënë në 2018-tën dhe në bazë të kësaj Komisioni Evropian propozon që Këshilli tani t’i hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të mund të jemi kredibil dhe në mënyrë të qartë dhe pozitive t’u përgjigjemi aktiviteteve që shtetet i kanë realizuar”, u shpreh eurokomisioneri Johanes Han.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut Ivo Vajgëll tha se nëse dëshirohet që Evropa të jetë stabile atëherë duhet të ketë shtete stabile dhe demokratike në Ballkanin perëndimor, andaj sugjeroi që Evropa të mbajë premtimet e dhëna.
“Ne jemi angazhuar dhe u kemi premtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe politikanëve që nëse e përmbushin atë që pritet nga ta, respektivisht nëse i hapin politikat e tyre drejt një qasjeje të re me shtete fqinje, nëse mund të arrijnë kompromis të tillë dhe marrëveshje siç e arritën me Greqinë atëherë me të vërtetë duhet të shpërblehen, ndërsa përkushtimi duhet të respektohet, në te kundërtën Bashkimi Evropian do të humbë çdo lloj kredibiliteti në rajon, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por në rajonin në përgjithësi”, tha Ivo Vajgëll, raportues për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini lavdëroi Maqedoninë e Veriu dhe Shqipërinë për përparim, në çështje që në fillim të mandatit të saj tha se janë dukur të pamundura, si reformat në drejtësi në rastin e Shqipërisë dhe zgjidhja e kontesteve në Maqedoni.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë kryer pjesën e tyre të punës, e tani është radhe e Bashimit Evropian për të përmbushur pjesën e saj, tani pas rekomandimit tonë topi është tek Këshilli”, potencoi Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Pas marrjes së këtij rekomandimi tani mbetet të shihet se çfarë vendimi që do të marrin vendet anëtare të BE-së për këtë propozim. Në qershor në Këshillin e Ministrave kumtohet vendimi i tyre përfundimtar nëse do të japin dritë jeshile që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut. Për dallim nga shtete tjera ku vendos qeveria, në Gjermani dhe Holandë do të duhet të vendosë Parlamenti se a do të hapen ose jo bisedimet aderuese me një vend kandidat.
Përgatiti: Besir Arifi
