REKA NUK I FUTET POLITIKËS, NUK PRANON TË BËJË “AKSHAM PAZARE” NË RRETHIN E DYTË

TË FUNDIT

Pas kandidimit për President, Blerim Reka me shumë gjasa nuk do t’i futet politikës.

“Nëse votat që i fitoj janë më të mëdha apo i tejkalojnë votat e partisë më të madhe shqiptare në pushtet, atëherë si individ që fiton më shumë vota se krejt partia e tyre, do ta konsideroj nëse do të hy në politikë apo jo”, u shpreh Kandidati për President, Blerim Reka.

Por nuk e tejkaloi. Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të 2016-tës mori mbi 86 mijë vota, ndërsa Reka në këto Presidenciale mori 79.915 vota, 6881 më pak se BDI-ja. Megjithatë Reka me më shumë vota doli në disa komuna me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Dibër, Likovë, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë, Bogovinë dhe Vrpaçisht.

Dy liderët opozitarë shqiptarë që e përkrahën kandidaturën e Rekës, votat për të në komunat shqiptare i lexojnë si dëshmi të pakënaqësisë shqiptare ndaj pushtetit aktual.

“Në të gjithë vendbanimet dhe komunat me shumicë shqiptare profesor Reka fiton me rezultatin 3 me 1 minimumin, ka edhe vendbanime ku fiton me rezultatin 4 me 1. Do të doja të theksoj se të njëjtin mesazh e jep edhe dalja e ulët në komunat që janë me shumicë shqiptare, bojkoti për definicion dhe çdoherë është bojkot ndaj pushtetit dhe ndaj shumicës qeveritare dhe assesi nuk është bojkot ndaj opozitës e cila synon që të sjellë ndryshim”, tha Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Edhe një herë shqiptarët treguan se e duan ndryshimin ashtu siç ndodhi ndryshimi në kampin politik maqedonas. Nëse kryeministri edhe më tutje do të vazhdojë të jetë i kapur dhe t’i mbrojë kriminelët shqiptarë vetëm për shkakun që i shërbejnë atij, ai duhet ta dijë se do ta tërheqin në greminë në të cilën ata janë futur kah moti”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Si dy liderët e opozitës shqiptare, po ashtu edhe kandidati Reka tha se nuk do të bëjnë tregti me votat që shkuan për ta, duke lënë të kuptohet se elektoratit të tyre nuk do t’i bëjnë thirrje që të votojnë për ndonjërin prej dy kandidatëve që do të garojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 5 maj.

Përgatiti: Besir Arifi