Refugjatët dhe emigrantët e kampit Moria, në ishullin grek Lezbos, tashmë për ditën e tretë me radhë janë në rrugët e ishullit, pasi pas dy zjarreve mbetën pa çati në kokë dhe tani po tentojnë të gjejnë mënyra dhe hapësirë për të vendosur tenda të rregullta por edhe të improvizuara, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Në afërsi të qendrës ekzistuese të pranimit Kara Tepe, sipas mediave lokale të ishullit sot me helikopter transferohen tenda që të krijohet një kamp i ri i përkohshëm.
Paralelisht, mijëra refugjatë dhe emigrantë, me ndihmën e hekurit, kallamëve dhe pëlhurave krijojnë vendbanime të përkohshme në rrugët e ishullit.
Midis mijëra refugjatëve dhe emigrantëve nëpër rrugët e Lezbosit janë edhe 35 personat e infektuar me koronavirus.
Ministri për migrim dhe azil i Greqisë, Notis Mitarakis, duke folur për televizionin grek “Mega”, dje tha se pas zjarrit të dytë në Moria dhe pas evakuimit, në turmë janë “humbur” edhe ata tetë të infektuar të cilët janë gjetur pardje.
Në ishull janë edhe njësitet mobile të Organizatës kombëtare për shëndet publik të Greqisë, si për testimin e emigrantëve dhe refugjatëve për Kovid-19 ashtu edhe për të ofruar ndihmë mjekësore, nëse është e nevojshme.
Një pjesë e testimeve të shpejta për Kovid-19 që i furnizoi Qeveria greke do të dedikohen pikërisht për në Lezbos.
