Zhvillimet e fundit në veri, me tërheqjen e Listës Serbe nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, kanë nxitur reagimin edhe të shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ai ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
Borrell është shprehur i shqetësuar se zhvillimet e fundit në veri vënë në rrezik punën e palodhshme në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE’ja.
“Fola këtë mbrëmje me të dy, Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti. Zhvillimet e fundit vënë në rrezik vite e vite punë të palodhshme në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Iu bëra thirrje të dy palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme”, shkroi Borrell në Twitter.
I
njëjti ka publikuar edhe një deklaratë të plotë ku ka kërkuar zgjatjen e afatit për targat si dhe formimin e Asociacionit.
“BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq përfaqësuesve serbë të Kosovës, Borrell u ka kërkuar që të rikthehen në institucione për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të rrespektuar obligimet në Dialog.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në komunikatën e BE-së.
