Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president ka pësuar një goditje, por sipas tij, ajo ende mbetet në fuqi.
Në një prononcim për “Ekonomia Online”, Kurti tha se marrëveshja paraqet një arritje të rëndësishme për të dy subjektet politike dhe se ende ekziston mundësia që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Marrëveshja politike që kemi arritur ka marrë një goditje të rëndë, mirëpo nuk është zhvlerësuar. Është sukses i madh i dy subjekteve tona politike dhe ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve, forcimin e shtetit e kanë shansin. E kjo është, emri i përveçëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht Profesor Bekim Sejdiu”, ka thënë Kurti.
Kurti nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse, në rast të dështimit të kandidaturës së Sejdiut, do të propozohet një emër tjetër për postin e presidentit.
Marrëveshja VV-LDK për Bekim Sejdiun nuk e ka siguruar mbështetjen e plotë të deputetëve të LDK-së. Gjashtë deputetë të kësaj partie kanë dalë kundër marrëveshjes, duke e bërë të pasigurt sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Aktualisht, besohet se kandidatura e Sejdiut mund të ketë rreth 74 vota, ndërsa për dy rundet e para të votimit kërkohen 80 vota, që përbëjnë kuorumin e nevojshëm.
Ndërkohë, marrëveshja nuk është mbështetur as nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat së bashku kanë 29 deputetë shqiptarë.
