Holanda zhvendos arin nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Londër, për shkak të trazirave gjeopolitike

TË FUNDIT

Banka Qendrore e Holandës (DNB) njoftoi se ka zhvendosur 86 tonë të rezervave të saj të arit nga SHBA-ja dhe Kanadaja në Londër, duke e arsyetuar këtë me “rritjen e trazirave gjeopolitike”.

DNB bëri të ditur se rezervat e arit të ruajtura në Londër mund të tregtohen më lehtë sesa ato që mbahen në Nju Jork dhe Otava, raportoi “The Guardian”.

Presidenti i DNB-së, Olaf Sleijpen, tha se kjo i mundëson Bankës të veprojë më shpejt në rast krize.

“Me këtë hap, kemi përmirësuar mundësinë për përdorimin e rezervave të arit. Supozojmë se nuk do të kemi nevojë ta përdorim kurrë arin, por megjithatë është e nevojshme të forcojmë qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë tonë”, deklaroi ai.

Rezervat totale të arit të Holandës arrinin në 612.4 tonë dhe në fund të vitit 2025 vlerësoheshin në 72.2 miliardë euro (83.7 miliardë dollarë), njoftoi DNB.

Para zhvendosjes, banka holandeze mbante 31.3 për qind të arit të saj në Nju Jork dhe 19.7 për qind në Otava.

Pjesa e arit të ruajtur në Londër u rrit nga 18.1 në 32.1 për qind, ndërsa Banka ende mban 30.8 për qind të rezervave të saj të arit në Holandë.