“Letërnjoftimi dhe patentë shoferi në telefon”, Andonovski thotë se në tetor do të promovohet aplikacioni

TË FUNDIT

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski njoftoi se në tetor do të promovohet aplikacioni i ri mobil m.Uslugi.

“Zyrtarisht mund të njoftoj se në tetor do të organizojmë një ngjarje ku do ta promovojmë aplikacionin mobil m.Uslugi. Në të do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe dy shërbime elektronike për qytetarët”, tha Andonovski në Kanal 5.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Transformimit Digjital, përmes m.Uslugi, qytetarët do të mund të kenë në një vend dokumentet e tyre personale në formë digjitale, si dhe të kenë qasje në shërbimet elektronike të administratës. Qëllimi është që shërbimet shtetërore të bëhen më të qasshme dhe më të thjeshta për përdorim, drejtpërdrejt përmes telefonit mobil.

Ministri theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht në çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe mënyrën e ruajtjes së të dhënave personale, si dhe shkëmbimin e tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është pronare e të dhënave.

“Jemi në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit për shkëmbimin e të dhënave, si dhe të testimit të aplikacionit. Duam që, para se të jetë në dispozicion për të gjithë, të jemi të sigurt se sistemi është stabil, i sigurt dhe i thjeshtë për përdorim”, tha Andonovski.

Aplikacioni do të jetë i disponueshëm në App Store dhe Google Play, ndërsa versioni testues deri tani është shkarkuar nga rreth 6.000 qytetarë.

Hapi i ardhshëm në transformimin digjital është që telefoni mobil gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, përmes të cilit qytetarët do të kenë qasje të sigurt dhe të thjeshtë në dokumentet e tyre dhe në shërbimet shtetërore.