Vizita në Moskë u mbajt e fshehtë nga të dyja palët, deri në publikimin e parë të kryeministrit hungarez në rrjetet sociale.
“Misioni paqësor vazhdon. Stacioni i dytë – Moska”, shkruan Orban.
“Patjetër të them që numri i vendeve që mund të bisedojnë me dy palët që luftojnë mes vete po ulet. Hungaria ngadalë po bëhet vendi i vetëm në Europë i cili do të mund të bisedojë me të gjithë. Do të doja të njihem me perspektivën tuaj për disa çështje të cilat janë të rëndësishme për Europën”, tha Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë.
“Po flasim për tërheqje të plotë të të gjitha trupave ukrainas nga Republika popullore Donjeck dhe Lugansk, nga rajonet Zaporozhje dhe Kerson. Ekzistojnë edhe kushte të tjera, por e gjithë kjo është lëndë për shqyrtim të detajuar në rast të punës së përbashkët”, pohoi Vladimir Putin, president i Rusisë.
Ndërsa ato kushte tjera që përfshijnë njohjen e Krimesë si territor rus, heqjen dorë nga synimi që Ukraina të bëhet pjesë e NATO-s, si dhe denazifikimi i Ukrainës.
Të hënën Hungaria e mori kryesimin me BE-në, të martën Orban u takua me presidentin ukrainas në Kiev, ndërsa dje ishte në Moskë.
Vizita e djeshme shkaktoi reagime të ashpra të liderëve europianë.
“Këshillin Europain në politikën e jashtme e prezanton këshilli nga z. Mishel dhe së shpejti nga z. Kosta. Këto janë rregullat që i kemi dhe andaj kryesimi hungarez me Këshillin nuk është arsyeja për këtë vizitë, por aktivitet si kryeministër hungarez”, deklaroi Olaf Sholc, kancelar i Gjermanisë.
“Kryesimi me rotacion nuk ka mandat që të merret me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli europian është kategorik: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, u shpreh Sharl Mishel, kryetar i Këshillit Europian.
“Kryeministri hungarez, Viktor Orban vizitoi Moskën. Politikat për qetësim nuk do ta ndalojnë Putinin. Vetëm uniteti dhe vendosmëria do të hapin rrugën drejt paqes gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”, theksoi Ursula Von der Lajen, kryetare e Komisionit Europian.
Hungaria refuzoi që të dërgojë armë në Ukrainë dhe i kritikoi sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Veprimet e Orban-it vijnë disa ditë para takimit të NATO-s në Uashington.