Rasti “PULSE”, Kallaç: Si mund të akuzohet Selami për një objekt që nuk ishte as në evidencën e tij?

TË FUNDIT

-Klienti im nuk është fajtor derisa të provohet e kundërta me vendim të formës së prerë. Mbrojtja jonë bazohet në faktin se aktakuza është ndërtuar mbi indikacione dhe interpretime subjektive, e jo mbi prova konkrete materiale dhe verbale që e lidhin në mënyrë të padiskutueshme zotin Selami me veprimet e kryerjes apo moskryerjes. Jemi të bindur se gjatë procedurës do të dëshmojmë se roli i tij në këtë ngjarje është interpretuar gabim nga Prokuroria, deklaron në intervistë për “Lokalno” avokati Jasmin Kallaç, klienti i të cilit Xhevat Selami është një nga të akuzuarit për zjarrin në diskotekën “Puls”. Selami është ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe ka qenë në këtë funksion për gjashtë muaj.

Kalaç thekson se vetë Prokuroria publikisht ka konfirmuar se pronari i objektit nuk ka paraqitur kurrë kërkesë për elaborat për mbrojtje nga zjarri në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Ai nënvizon se nuk mund të fajësohet institucioni për mosmiratimin e diçkaje që nuk është kërkuar fare.

“Nuk është në kompetencë të drejtorit të DMSH-së të kontrollojë se cili bend performon në një klub nate dhe nëse ata planifikojnë të përdorin piroteknikë. Zjarri, siç është konstatuar tashmë, ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike nga bendi “DNK”. Kërkimi i përgjegjësisë penale nga kreu i DMSH-së për veprimet e pakujdesshme dhe të paligjshme të individëve në një objekt privat është si ta akuzosh ministrin e Brendshëm për çdo aksident trafiku që ndodh për shkak të shpejtësisë”, thotë avokati.

Kalaç shton se pretendimi se nuk ka pasur inspektor të DMSH-së në Koçan është manipulim i pastër. Sipas tij, inspektorët nuk janë të lidhur territorialisht, por janë mobilë dhe veprojnë në gjithë territorin e shtetit.

“Klienti im, zoti Selami, akuzohet për mosveprim, edhe pse vetë Prokuroria pranoi se pronari i objektit nuk ka dorëzuar kërkesë për elaborat. Pra, pronari nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor, ndërsa Prokuroria ndjek drejtorin e DMSH-së për diçka që nuk ka ekzistuar as në evidencë”, shton Kalaç.

Në procesin “Puls” janë të akuzuar një numër i madh personash për “mosveprim” në lidhje me veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Sa e vështirë është për Prokurorinë të provojë një kualifikim të tillë ndaj Xhevat Selamit?

“Para së gjithash, dua t’i kujtoj opinionit parimin themelor të çdo shteti juridik: prezumimin e pafajësisë. Klienti im nuk është fajtor derisa të provohet e kundërta me vendim të formës së prerë. Mbrojtja jonë bazohet në faktin se aktakuza është ndërtuar mbi indikacione dhe interpretime subjektive, e jo mbi prova konkrete që e lidhin Selamin me veprimet ose mosveprimet. Jemi të bindur se do të dëshmojmë se roli i tij është interpretuar gabim nga Prokuroria. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë, pothuajse e pamundur në këtë kontekst. Vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” kërkon lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes veprimit (ose mosveprimit) dhe ngjarjes së ndodhur. Të akuzosh drejtorin e një institucioni për “rrezik të përgjithshëm” për shkak të mungesës sistemike të inspektorëve është absurditet juridik. Këtu kemi përpjekje për përgjegjësi kolektive, ndërsa e drejta njeh vetëm faj individual të bazuar në prova konkrete”, tha avokati.

Prokuroria pretendon se institucioni nuk ka reaguar, por vetë ata gjatë hetimit kanë zbuluar një detaj të rëndësishëm për pronarin e objektit. Mund ta sqaroni?

 “Pikërisht, dhe ky është momenti kyç që rrëzon tezën ndaj drejtuesve të DMSH-së. Vetë Prokuroria ka konfirmuar publikisht se pronari i objektit nuk ka paraqitur kërkesë për elaborat për mbrojtje nga zjarri. Detyrimi ligjor i çdo pronari është të iniciojë vetë procedurën dhe të përmbushë standardet. Nuk mund të fajësohet institucioni për mosmiratimin e diçkaje që nuk është kërkuar. Strategjia e Prokurorisë është ambicioze, por juridikisht e brishtë. Shumë nga pretendimet bazohen në dëshmi kontradiktore ose dokumente që nuk provojnë as qëllim as pakujdesi”, u përgjigj avokati.

Pra, ju thoni se përgjegjësia është e individit, jo e drejtorit?

“Absolutisht. Çdo pronar apo menaxher është i detyruar të kujdeset për sigurinë e objektit. Në këtë rast, pronari e ka anashkaluar ligjin. Si mund të mbajë përgjegjësi klienti im për një objekt që nuk figuron fare në sistemin e DMSH-së si subjekt me kërkesë për elaborat? Gjatë mandatit të tij të shkurtër prej 6 muajsh nuk ka pasur asnjë ankesë për këtë objekt. Për të urdhëruar inspektim të jashtëzakonshëm duhet ankesë. Nuk është në kompetencë të drejtorit të DMSH-së të kontrollojë se cili bend performon në klub dhe nëse përdor piroteknikë. Zjarri, sipas konstatimeve, është shkaktuar nga përdorimi i mjeteve piroteknike nga bendi “DNK”. Të kërkosh përgjegjësi penale për drejtorin është si të akuzosh ministrin e Brendshëm për çdo aksident trafiku. Ekziston hierarki e qartë përgjegjësie”,  saktësoi Kallaç.

Ju përmendët edhe inspektorët e DMSH-së?

“Po. Pretendimi se nuk ka pasur inspektor në Koçan është manipulim. Inspektorët nuk janë të lidhur territorialisht, por janë mobilë. Problemi i numrit të ulët të inspektorëve (13) vjen nga refuzimi i kërkesave për punësime të reja nga Ministria e Financave, të cilat klienti im i ka kërkuar vazhdimisht. Ai ka bërë gjithçka për të forcuar sistemin, përfshirë komunikimet me komunat dhe BNJVL-në. Ky rast është përpjekje për të gjetur “kurbani” për probleme sistemike që ai është përpjekur t’i zgjidhë, jo t’i krijojë”,  theksoi avokati Kallaç.