Studentët nesër në protestë, thirrje për mbështetje! Figura publike në përkrahje të studentëve

TË FUNDIT

Një ditë para protestës studentore, organizatorët e protestës u kanë bërë thirrje intelektualëve, shoqërisë civile dhe faktorëve politikë që të mbështesin studentët në protestën e 18 majit në Shkup. Ata theksojnë se protesta nuk është kundër askujt, por për mbrojtjen e të drejtave shqiptare, dinjitetit dhe barazisë. Sipas tyre, studentët po kërkojnë në mënyrë paqësore zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit.

“Të dashur intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe faktorë politikë, Heshtja ndaj shkeljeve të së drejtës nuk është neutralitet. Kjo protestë nuk është kundër askujt, por për mbrojtjen e të drejtave shqiptare, dinjitetit dhe barazisë sonë si qytetarë. Studentët kanë zgjedhur rrugën më demokratike, të ndershme, paqësore dhe qytetare, duke kërkuar vetëm zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për zërin, mbështetjen dhe praninë tuaj”, tha Mirajete Selmani – studente .

Në mbështetje të studentëve shqiptarë, ambasadori i Shqipërisë në vend, Denion Meidani, publikoi një mesazh të frymëzuar nga vargjet e Gjergj Fishtës, i cili tërhoqi vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Statusi i tij sërish u bë viral, duke u konsideruar si një mesazh i fortë për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të studentëve.

Mbështetje të fuqishme për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup ka shprehur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si një betejë për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Për të është e papranueshme që në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s, shqiptarët ende të detyrohen të protestojnë për identitetin dhe dinjitetin e tyre.

Në rrjetin e tij në Facebook ka reaguar edhe Bedri Hamza, ku sipas tij zëri i studentëve përfaqëson një brez që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar. Ai shprehet se do të jetë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij.

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një e drejtë e fituar me sakrificë ndër breza. Sipas saj, studentët shqiptarë meritojnë të drejta dhe mundësi të barabarta, ndërsa ka mbështetur protestën kundër ndalimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Këngëtari Ilir Shaqiri, duke mbështetur studentët, postoi një status për gjuhën shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Përkrah tyre kanë dalë edhe shumë figura të tjera publike nga vendi dhe më gjerë.