Rasti “Alfa” assesi të dalë nga labirintet e gjykatave, e i dënuari Agim Islami ka 15 muaj që po pret vendimin nëse do të ketë rigjykim dhe zbardhje të rastit. Gjykatat vazhdimisht premtojnë se së shpejti do të dalin me vendim, ndërkaq për shkak të gabimeve administrative, lënda thuajse 3 muaj endet herë në gjykatën e Apelit e herë në atë Penale. TV21 mëson se së fundmi i dënuari Almir Derplanin, ka dorëzuar edhe një ankesë të re kundër aktgjykimit.
“Lënda është kthyer, është shqyrtuar dhe për shkak se ka ankesë të re, është vendosur që përsëri lënda të dërgohet në Prokurorinë e Lartë – Shkup, që të deklarohen pas ankesës së re të dorëzuar. Kur do të kthehet lënda atëherë do të vazhdohet procedura këtu”- thonë nga Gjykata e Apelit.
Agim Islami ka thuajse 15 vite në burg, sepse është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e policit një polici shqiptar në vitin 2008, në parkingun e Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Ish i arrestuari Ramiz Dauti mohon që Agimi ta ketë kryer vrasjen. Sipas tij, ekspertiza e fundit e kryer në Serbi, dëshmoi se të dënuarit për këtë rast nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen.
“Agimi për çdo ditë pret të dalë në liri për shkak se ai e di vetën se është i pastër dhe i pafajshëm”- tha Ramiz Dauti, ish i arrestuar.
Dauti kërkon nga gjykatat që sa më shpejtë të veprojnë mbi lëndën. Vlerëson se vonesat janë trillime me të vetmen arsye që ta zvarrisin lëndën.
“Po të kishte qenë një shtet funksional dhe një gjyqësor jo i korruptuar siç është ky tash, që unë s’besoj fare në të, këtë pyetje nuk besoj se do të ishte dashur të ma bëni fare, për shkak se deri tash duhet të ishte Agimi i lirë, rasti të ishte në rigjykim dhe të fillojnë fazat tjera mbrojtëse me argumente dhe fakte që i kemi për mbrojtjen e Agimit”- tha Ramiz Dauti, ish i arrestuar.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në Click Plus shprehu bindjen e tij se Agim Islami nuk duhet të jetë në burg, ndërsa po ashtu tha se duhet të ketë përgjegjësi për zvarritjet institucionale.
Gjykata Penale nuk mund te marrë vendim për rigjykim eventual të rastit, për shkak se një pjesë e dosjes është në gjykatën e Apelit. Familjarët kërkojnë që mbi lëndën e Agim Islami të veprohet ndaras për shkak se edhe gjykimi është bërë me procedurë të ndarë nga Almir Dërplanin.
