Rama: Tirana kryeson aeroportet e Ballkanit, 6 milionë udhëtarë në vetëm 6 muaj

TË FUNDIT

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është renditur në krye të aeroporteve të rajonit për numrin e pasagjerëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke regjistruar mbi 6 milionë udhëtarë.

Shifrat janë publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një grafiku të shpërndarë në faqen e tij në Facebook. Sipas të dhënave të publikuara prej tij, aeroporti i Tiranës ka regjistruar një rritje prej 17% të numrit të pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në renditjen e aeroporteve të Ballkanit, pas Tiranës pozicionohet Beogradi me 4.2 milionë pasagjerë, i ndjekur nga Zagrebi me 2.2 milionë dhe Prishtina me 2.1 milionë.

Më pas renditen Shkupi me 1.8 milionë pasagjerë, Spliti me 1.3 milionë, Dubrovniku me 1.2 milionë dhe Podgorica me 900 mijë pasagjerë. Sarajeva dhe Ljubljana kanë regjistruar rreth 800 mijë pasagjerë secila.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kryeson aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. 6 milionë pasagjerë në vetëm 6 muaj, me një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”, shkruan Rama në postimin e tij.