Radhë të gjata para Agjencisë për Punësim, shumë punëtorë janë dëbuar nga puna për shkak të koronakrizës

TË FUNDIT

Radhë të gjata para Agjencisë për punësim. Me dokumente në duar qytetarët të cilët këto ditë janë përjashtuar nga puna nga kompanitë që deri më tani kanë punuar, po presin të hyjnë në Agjencinë për punësim që përsëri të paraqiten si të papunë. Të nervikosur nga e gjithë situata por edhe nga shefat e tyre të deritanishëm për të cilët deri më tani në mënyrë të palodhshme kanë punuar, tani nuk e dinë çfarë të bëjnë. Nuk e dinë ku të kërkojnë drejtësi, e kë të padisin!

Person i dëbuar nga puna: “Nga sigurimi Perpetum. Më thanë të vijë në byro dhe të marr pagë minimale prej 14 500 denarëve. Kë të padis? Duhet të jap para, unë apo dikush tjetër, duhet të jap para për avokat. Nga ku”?

Ata që presin para Agjencisë kanë shpresë se do ta marrin ndihmën e premtuar, ndërsa ata që dolën nga Agjencia ishin të zhgënjyer dhe thonë se i kanë refuzuar me arsyetim se nuk u takon kompensim në të holla.

Person i dëbuar nga puna:Na dëbuan nga puna, po. Të gjithëve na dëbuan.

TV21: Ku  keni punuar?

Person i dëbuar nga puna: Në hotel.

Person i dëbuar nga puna: Ja, tani mendojmë çfarë të bëjmë, nuk na takon ndihma, por nga të marrim të ardhura. Në shtëpi e gjithë familja jemi të papunë.

Jo nuk na japin, për shkak se kemi qenë në kohë të pacaktuar, kompania duhet të shpallë tepricë teknologjike. Ashtu na thanë. Dhe tani për momentin nuk ka asgjë. Kë do padisësh? Kë? Shtetin?

Disa prej tyre kanë mirëkuptim për pronarët e kompanive, ndërsa u është premtuar se do t’i kthejnë në punë pasi që të mbarojë kriza.

Person i dëbuar nga puna: Nuk kemi firmosur asgjë. Vetëm na i dhanë marrëveshjet dhe aq. Letër se jemi të çregjistruar nga Enti për punësi  dhe aq. Ne nga 15 marsi jemi të dëbuar, nga të na japin ata para, 0 denarë janë të ardhurat. Ky është realiteti, unë mund t’i kuptoj tërësisht.

E kontaktuam edhe drejtoreshën e Agjencisë për punësim, Biljana Jovanovska në lidhje me atë se sa punëtorë në ditët paraprake janë paraqitur se janë dëbuar nga puna dhe për sa përqind është rritur papunësia. Në përgjigjen e dërguar përmes postës elektronike nuk ka të dhëna të sakta se sa është rritja, por na dërguan link nga Agjencia ku evidentohet gjendja e papunësisë, por të dhënat ishin deri në muajin mars.

“Duke i ndjekur udhëzimet e Qeverisë për parandalimin e shpërndarjes së Kovid-19, duke filluar nga 11 marsi, është ndërprerë paraqitja e rregullte e personave të papunë. Në këtë periudhë si persona të papunësuar paraqiten ata persona që për herë të parë duan të evidentohen si persona të papunësuar dhe ata që u është ndërprerë raporti i punës në periudhën paraprake dhe që duan të parashtrojnë kërkesë për realizimin e të drejtës për kompensim në të holla”, tha Biljana Jovanovska, Drejtore e Agjencisë për Punësim.

Nga Oda hotelierike dje dolën me deklaratë, në të cilën thonë se nuk do të përdorin masat qeveritare dhe se do i dëbojnë nga puna të punësuarit, si dhe i porositën shtetit që të kujdeset për ta. Në të njëjtën kohë, drejtori i inspektoratit të punës, Alajdin Havziu, apeloi të punësuarit të mos nënshkruajnë marrëveshje për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Qeveria paraprakisht pohonte se me ndihmën me pagë minimale do të ruhen vendet e punës e 25 mijë punëtorëve.