Alta Banka ndez përplasjet politike! Partitë kërkojnë transparencë dhe hetime

TË FUNDIT

Rasti i Alta Bankës vazhdon të shkaktojë përplasje politike në vend. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasho Dimitrijeviq, akuzoi guvernatorin Trajko Sllaveski se nuk ka dhënë sqarime për pronësinë e Alta Bankës në Beograd dhe për mënyrën se si banka mori leje për të hyrë në tregun maqedonas. Dimitrijeviq gjithashtu pretendoi se kufizimet ndaj klientëve të Alta Bankës po mbrojnë interesat e grupeve kriminale, ndërsa qytetarët nuk mund të tërheqin lirshëm paratë e tyre.

“Guvernatori Trajko Sllaveski deklaroi dje se nuk e dinte se kush është pronar i “Alta Bankës” në Beograd, se nuk e dinte se sa për qind të pronësisë zotëronte dhe se kjo nuk e kishte interesuar. Si atëherë dha leje që banka të hynte në Maqedoni? Me urdhër të Mickoskit? Për shkak të interesave të biznesit dhe pastrimit të parave me Vuçiqin?”,tha Aleksandar Sasho Dimitrijeviq
VMRO-DPMNE akuzon Filipçen dhe LSDM-në se po krijojnë qëllimisht panik rreth Alta Bankës, me synimin që një biznesmen i afërt me ta ta blejë bankën me çmim të ulët. Nga VMRO-DPMNE sigurojnë qytetarët se pagat dhe pensionet do të paguhen dhe se nuk do të lejohet falimentimi i bankave.

“Qëllimi i Filipçes dhe LSDM-së në rastin e Alta Bankës është të krijojnë panik dhe kaos në sektorin bankar, duke paraqitur bankën sikur është në prag të falimentimit dhe është jolikuide, në mënyrë që më pas një biznesmen i afërt me Filipçen dhe Zaevin t’i blejë aksionet me një çmim qesharakisht të ulët”, tha Brane Petrushevski.

BDI kërkon nga Qeveria të publikojë sa mjete publike kanë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore në Alta Bankë dhe kush ka vendosur depozitimin e tyre. Partia kërkon hetim për ndikime të mundshme politike, keqpërdorim të pozitës dhe përgjegjësi institucionale.

“Kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave që të publikojnë një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontrollin shtetëror që kanë pasur mjete në Alta Banka, duke përfshirë shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve”, deklaroi BDI.
Ng ana tjetër edhe VLEN kërkon hetim nga institucionet kompetente për lidhjet afariste të kompanisë AS Senjak, që sipas partisë është e afërt me familjen e Ali Ahmetit, me ish-zyrtarin serb Sasho Mijallkov dhe Alta Bankën.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike të hetojnë transaksionet e AS Senjakut me Sasho Mijallkovin dhe Alta Bankën, kredinë prej 5 milionë eurosh dhe kontratat e dhëna nga komunat e udhëhequra nga BDI-ja. Institucionet kompetente të kërkojnë nga autoritetet serbe të dhëna për të gjitha lidhjet e Alta Bankës me kompani nga Maqedonia e Veriut.
Kujtojmë se, në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut