Nënkryetarja e BDI-së Arta Bilalli Zendeli në emisionin e mbrëmshëm Click Plus akuzoi VLEN-in se përballet me sfidën e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve edhe në provimin e jurisprudencës. Sipas saj, pushteti aktual duhet të sigurojë që ky provim të realizohet edhe në gjuhën shqipe, njësoj si në provimet tjera ashtu edhe në sferat e tjera ku zbatohet ligji.
“Ja këto tani kanë një sfidë. Ne në provimin e jurisprudencës nuk kemi arritur, këta kanë një sfidë që provimin e jurisprudencës ta realizojnë në gjuhën shqipe, njëlloj siç realizohen në sferat tjera. Sfida e këtyre është që në provimin e jurisprudencës ta zbatojnë edhe shkronjën e ligjit për gjuhët”, tha Arta Bilali-Zendeli.
Elmi Aziri deklaroi se Lidhja Shqiptare mbështet qëndrimin e studentëve kundër zgjidhjes së propozuar për provimin e jurisprudencës, duke theksuar se ata kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe. Sipas tij, përgjegjësia është e politikanëve që gjuha shqipe të mos cenohet dhe të mos pësojë copëzime.
“Studentët janë deklaruar se nuk e pranojnë një zgjidhje të tillë, ata ishin në takim te ministri Shasivari, nuk kemi asnjë arsye dhe motiv të mos pajtohemi me studentët sepse privimi u referohet studentëve, ata kanë zë të drejtë, ne si politikanë do të duhet ta ruajmë në maksimum gjuhën shqipe që të mos i nënshtrohet diskreditimeve dhe copëzimeve”, tha Elmi Aziri.
Akuzave të opozitës iu përgjigj Blerim Sejdiu nga VLEN-i, i cili tha se pushteti po punon për zgjidhjen ligjore të çështjes së provimit të jurisprudencës. Ai kërkoi që fillimisht të miratohet zgjidhja aktuale, me qëllim që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa më pas të ndërmerren iniciativa të tjera. E gjithë kjo, sipas Sejdiut, pasi sistemi gjyqësor në vend funksionon në gjuhën maqedonase.
“Pse ju nuk e hapët diçka që ne jemi duke e bërë ligj? Tani lëre që nuk e hapët, po tani kur e patë se do të bëhet ligj, thoni pse nuk e bëtë deri në fund shqip. Tani ne themi, faza e parë, le të kalojë kjo që është, le të bëhet ligj dhe le të bëhet në gjuhën shqipe provimi i jurisprudencës, pastaj do të ketë iniciativë tjetër. Ne e dimë se si funksionon sistemi gjyqësor në RMV, se është në gjuhën maqedonase, edhe ju e dini, tha Blerim Sejdiu.
Studentët kanë paralajmëruar se brenda kësaj jave do t’i dorëzojnë kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për debat publik me ekspert të çështjes, ku do të kërkojnë sqarime dhe do të shprehin kundërshtimet e tyre ndaj zgjidhjes së propozuar për provimin e jurisprudencës. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk janë kundër por u është bërë e ditur se studentët do të kenë mundësi të takohen edhe me ekspertët e Komisionit të Venedikut por edhe kur do të realizohen debate publike.
