“Ndodhemi në tregun e Bit Pazarit, kemi ardhur për të parë atmosferën në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, kur zakonisht qytetarët furnizohen me më shumë produkte ushqimore, për të pasur tryezë sa më të begatë“, raporton Almedina Ismajli.
Qytetarët mendoheshin nga dy herë, për të blerë ose jo, kjo pasi siç thonë, çmimet janë të larta ndërsa pagat të ulëta. Këtë Ramazan nuk do t’i mbushim shportat si herëve tjera thonë disa blerës.
“Mixhë si po të duken çmimet? Çmimet të arsyeshme, ndonjëherë shtrenjtë ndonjëherë lirë.
Keni dal për Ramazan? Po diçka me ble. A do t’i mbushni qeset si herëve tjera ose jo?
Jo, kësaj here, pak më shtrenjtë janë”
“Valla shtrenjtë çmimet, shumë shtrenjtë. Me privat mbahemi, nuk ka punë shumë dobët“
“Nuk mundemi me e mbush as një të katërtën, çmimet kanë hipur 60-80%, shumë, shumë për së tepërmi. Me rroga nuk mund të bëhemi idare e lëre më me ndihmë sociale e pa rroga.”
Shitësit e pranojnë se produktet janë më shtrenjtë, thonë se kjo është arsyeja që kanë më pak punë.
“Puna dobët, me zor, shpenzimet e mëdha”
“Edhe para nuk ka edhe punë nuk ka. A i keni hipur çmimet ju si tjerët? Jo ne nuk i kemi hipur, këto çmime janë që 5 muaj 6, me vite”
“Ka më shumë njerëz por çmimet janë shumë të larta, zakonisht popullata jonë Ramazanin e pret me dëshirë, por çmimet janë shumë të larta.”
“Sot më mirë është. E çmimet si janë? Çmimet shumë të larta, gjithçka është shtrenjtuar. Askush nuk ka të holla, 50 denarë patatet.”
“Po mirë çe nja dy tre ditë mirë, shumë mirë po shkon. A po kanë para qytetarët? Po kanë tani kanë marrë edhe pagat, pensionet, socialen, këto janë. A i keni hip çmimet, jo ende me çmime të vjetra. Nuk i hipim për Ramazan deri sa të mbarojë e më pas do ta shohim.”
Kreu i Bashkësisë fetare islame thotë se Ramazani është muaj i begative dhe uroi të gjithë myslimanët.
“Ky muaj është edhe rast i volitshëm i pajtimit tonë, i shtrirjes së ndihmës atyre që kanë nevojë – në veçanti, të varfërve dhe skamnorëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi më afër kënaqësisë dhe faljes së Allahut Fuqiplotë. Vëllezër e motra më lejoni që në emër të BFI së RMV-së dhe në emrin tim t’ju shpreh urime të përzemërta me këtë rast”, tha Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Ndryshe nesër besimtarët mysliman nisin me agjërim. Ramazanit sipas kalendarit fillon me 2 prill, dhe përfundon me 1 maj. Ndërkaq data 2 maj do të jetë dita e parë e festës së Filtër Bajramit. Ndryshe nga dy vitet e kaluara këtë vit meqë situate me covid-19 është qetësuar nuk ka masa restriktive, me çka do të organizohen iftare të përbashkëta dhe do të falen teravi në xhami.
