Bastisje në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip! Dyshime për manipulime me nota në këmbim të parave

TË FUNDIT

Policia po kryen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në kuadër të një hetimi për manipulime të dyshuara me notat, pikët e provimeve dhe dosjet e studentëve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, përcjell TV21. Në fokus të hetimit është një i punësuar në universitet, udhëheqës i Sektorit të IT-së, i cili dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në evidencën elektronike të studentëve.

Sipas informacioneve fillestare, ekzistojnë dyshime se i dyshuari ka ndryshuar pikët e provimeve, ka fshirë nota dhe ka mundësuar regjistrimin e semestrave për studentë që nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme, në këmbim të parave. Ndërhyrjet e dyshimta, kryesisht, kanë të bëjnë me studentë nga Turqia. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të gatshme, por deri më tani nuk dihet shuma e saktë dhe nëse paratë kanë lidhje me hetimin.

Nga MPB-ja njoftojnë se në aksion janë përfshirë zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, SPB-ja e Shtipit, SPB-ja e Shkupit dhe Sektori për Krim Kompjuterik.

“Me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip, po kryhen bastisje në disa lokacione në Shtip dhe Shkup, në lidhje me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar’ dhe ‘dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistemin kompjuterik’, të dyshuara se janë kryer nga R.T., udhëheqës i Sektorit të Informatikës në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga Ministria shtojnë se opinioni do të informohet pas përfundimit të plotë të aksionit.