Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se deri në orën 13:00 sot janë regjistruar 11 zjarre në hapësirë të hapur në vend. Prej tyre, gjashtë janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa katër janë shuar. Zjarret aktive janë në Studeniçan dhe Zelenikovë, Gostivar, Çashkë, Probishtip, Gradsko dhe Kërçovë. Në Kërçovë, zjarri në Tajmishte është nën kontroll, ndërsa katër zjarre janë shuar në Saraj, Gostivar, Kumanovë dhe Berovë. QMK vazhdon të monitorojë situatën në terren. Nga ana tjetër drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim raportoi për zjarrin në Çiçino, ku tashmë sipas tij zjarri është jashtë kontrollit.
“Zjarri që shpërtheu në territorin ndërmjet fshatrave Çiçino e epërme dhe Çiçino e poshtme është përhapur. Për fat të keq, tashmë e kemi humbur kontrollin mbi të. Po punohet në një terren me bar të thatë, i cili ka përfshirë një sipërfaqe të madhe. Zjarri është drejtuar kah kreshta, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë për ta mbajtur nën kontroll. Tani po përpiqen të mbrojnë pemishtet dhe objektet përreth, por këtu do të ketë një betejë të gjatë dhe të vështirë, ndoshta disa ditore. Menjëherë është kërkuar ndihmë – traktorë të shtetit, helikopter nga MPB-ja, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Tani janë dërguar edhe katër automjete zjarrfikëse të specializuara, Pinzgauer”, u shpreh Angellov.
