Qershor apo korrik? Në pritje të datës! A është shëndeti i qytetarëve më i rëndësishëm për partitë?

TË FUNDIT

Çdo ditë partitë politike theksojnë se shëndeti i qytetarëve është prioritet për ta. Edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja disa herë në ditë thonë se zgjedhje duhet të ketë, por se problemi është data e mbajtjes së tyre.

Edhe pse kjo javë është vendimtare për sjelljen e këtij vendimi, megjithatë nuk ka asnjë paralajmërim për takim të ri të liderëve.

“Mund të them se për datën e mbajtjes së zgjedhjeve do të duhet të bisedohet me konsensus, përkatësisht në momentin kur do të vlerësohet se mund të mbahen zgjedhjet sepse për momentin më i rëndësishëm për ne është shëndeti i qytetarëve e jo shpëtimi i karrierës së ndonjë funksionari nga LSDM-ja”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja nuk zbulojnë nëse do të lëshonin pe në lidhje me qëndrimet e tyre  duke e plotësuar në këtë mënyrë dëshirën e VMRO-DPMNE-së. E gjithë kjo vetëm e rrit pasigurinë për periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Zgjedhjet janë zgjidhje dhe duhet të mbahen në afatin e parë të mundshëm, patjetër pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe varësisht nga gjendja me epideminë. Zgjedhjet janë të nevojshme që të sigurojmë institucione funksionale që do t’i përkushtohen mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Thamë se mund të ketë marrëveshje edhe para përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Sipas informacioneve tona, LSDM-ja pas konsultimit me partnerët e saj të koalicionit, si datë të fundit do ta ofrojë 5 korrikun.

Nga Komisioni Evropian thonë se mbrojtja e zgjedhjeve të lira nga lajmet e rrejshme do të jetë një nga pikat kryesore të planit të aktiviteteve për mbrojtje të demokracisë evropiane që Komisioni Evropian planifikon ta miratojë deri në fund të këtij viti.