Qe një vit e gjysmë premtojnë, sa kohë duhet për të rikonstruuar një rrugë 500 m në Shkup?!

TË FUNDIT

Në këtë pjesë të rrugës makinat e ulin shpejtësinë.

Diku është me kalldrëm, diku me pllaka bekatoni, diku me asfalt e më së shumti me gropa. Prindërit që çojnë fëmijët për vizitë në Spitalin e mushkërive “Kozle” duhet të kalojnë nëpër këtë rrugë të shkatërruar. TV21 tash një vit e gjysmë raporton për problemin me këtë rrugë, e institucionet disa herë premtuan rikonstruimin e rrugës, por e njëjta është ende në këtë gjendje.

Në fillim premtoi kryetari i Karposhit Stefan Bogoev.

“Tani me ardhjen e pranverës dhe ngritjen e temperaturës së ajrit, na mundësohet që shpejt, nuk dua të tingëllojë keq, por le të themi se në muajin qershor më së fundi do të përfundojë”, Stefan Bogoev – kryetar i Komunës së Karposhit.

Bogoev më pas na tha se me rikonstruimin do të merret NP “Rrugë dhe rrugica”. 

“Ndërmarrja Publike “Rrugë dhe Rrugica” është në fazë finale të projektit dhe besoj së këtë vjeshtë sigurt do të përfundojë ky projekt”,  tha Bogoev.

Drejtori i ndërmarrjes Senad Smailoviq që para një viti na pat thënë se rikonstruimi do të përfundojë.

“Gjithsesi se do të përfundojë këtë vit për këtë nuk ka dilema”, Sdeklaroi Senad Smailoviq, drejtor i NP “Rrugët dhe Rrugicët”.  

Pas kësaj deklarate Drejtori i rrugëve Senad Smailoviq më nuk pranoi asnjëherë të prononcohet për TV21, edhe pse e kemi kërkuar ditë me radhë. Para 5 muajve nga kabineti i tij na thanë të kërkojmë përgjegjësi te Sektori për planifikim hapësinor dhe urban, i Qytetit të Shkupit.

E udhëheqësi i këtij sektori të Qytetit të Shkupit, Nikolla Gaxhovski në janar të këtij viti premtoi se punimet do të fillonin në mars mirëpo edhe pas dy muajve rruga është si ka qenë, bile edhe më keq.

Ndryshe në Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët, Kozle, brenda një dite kontrollohen rreth 100 fëmijë nga e tërë Maqedonia e Veriut. Ka katër vjet që kur u ndërtua ky spital modern, ndërsa rruga e ashtuquajtur “Zagrebska” e cila është rreth 500 metra ende është në këtë gjendje. Në redaksinë tonë kanë arritur shumë ankesa nga qytetarët që i çojnë fëmijët për mjekim atje, sidomos në periudhën e dimrit.