Disa mjekë dhe punonjës shëndetësor nga Qendra Klinike, lëshuan vendin e punës dhe dolën për të treguar pakënaqësinë për vonesën e pagave. Thonë se ka përfunduar edhe afati ligjor, e pagat nuk i kanë marrë, ndërsa ajo çka i revolton më së shumti, siç shprehen, është mungesa e informacioneve nga ana e institucioneve kompetente.
“As nga instancat më të larta nuk kemi asnjë informacione, përmendët Fondin, as si do të llogaritet, as kur do t’i marrim pagat. Ne me nder punojmë për pagat dhe kemi shpenzime që duhet të paguajmë dhe na revolton mënyra se si sillen autoritetet shëndetësore ndaj nesh”, tha Llazo Jovçeski, mjek kirurg.
Për të 12-tën ditë me radhë, sistemi elektronik i Fondi për sigurim shëndetësor është jashtë funksionit, e drejtuesit e këtij institucioni informacione për opinionin lëshojnë vetëm nëpërmjet komunikatave me shkrim. Për dallim nga dje, sot përpara dyerve të Fondit nuk qëndronte sigurimi.
“Edhe sot TV21 kërkoi deklaratë nga drejtorët e Fondit për sigurim shëndetësor, mirëpo përsëri heshtje. Udhëheqësia e këtij institucioni nuk e sheh të arsyeshme të prononcohet për problemin që e kanë me sistemin”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.
Ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski fajëson Fondin që nuk e ka siguruar mjaftueshëm sistemin, ku ndodhen të dhënat personale të qytetarëve.
“Është shumë e rëndësishme të gjitha institucionet të ndërmarrin masa të parakohshme për mbrojtje të të dhënat elektronike dhe sistemeve elektronike ngaqë është më lirë të kontribuohet në parandalim, e gjithçka tjetër më pas është shumë më e vështirë”, theksoi Oliver Spasovki, ministër i Punëve të Brendshme.
Përndryshe, sipas informacioneve jozyratre hakerët që kanë sulmuat Fondin, për t’ua kthyer kërkojnë 2.000 bitkoinë, apo rreth 44 milionë euro, gjë që nga Fondi e mohojnë. E sa i përket të dhënave personale të qytetarëve, nga ky institucion mohojnë se të njëjtat mund të rrezikohen.
