Ndërsa sot janë mbajtur nderimet e fundit për Mbretëreshën Elizabeth II, shumë artikuj janë shkruar për monarken që mbretëroi për 70 vite. Megjithëse, shumë fotografi nga jeta e saj kanë qarkulluar në rrjet – nga fëmijëria deri më tani – a keni menduar pse nuk ka asnjë foto kur ajo ka qenë shtatzënë?
Gjatë të tre shtatzënive të saj,Kate Middleton u fotografua gjerësisht, ashtu si kunata e saj Meghan Markle kur priste fëmijën e saj të parë. Një brez më parë, fotot e princeshës Diana, Princeshës Anne dhe Sarah Ferguson, Dukeshës së Jorkut, shpërndaheshin nëpër faqet e para të gazetave.

Të katër shtatzënitë e saj u mbajtën të mbrojtura nga publiku, thjesht për shkak të tabuve të kohës. Në fakt, Pallati Buckingham as nuk njoftoi asnjëherë zyrtarisht se Elizabeth ishte në pritje të ëmbël, përkundrazi njoftonte publikun se do të ndalonte për një periudhë të shkurtër detyrën e saj mbretërore.

Sipas The New York Times, në vitin 1948 pallati lëshoi një njoftim ku thuhej: “Lartësia e saj mbretërore Princesha Elizabeth nuk do të ndërmarrë asnjë angazhim publik pas fundit të qershorit”. Princesha e atëhershme lindi Charles, Mbretin e ardhshëm, pesë muaj më vonë.
Mbretëresha nuk i paraqiti as fëmijët e saj në shkallët e spitalit pas lindjes së tyre, një akt që tashmë është bërë traditë për prindërit mbretërorë.

