Pse Alternativa mori më shumë resorë se Besa?! Grubi: Ua dhamë Informatikën, por ne e morëm Bujqësinë

TË FUNDIT

Jeton Shaqiri nga BDI do të udhëheqë me Ministrinë e Bujqësisë me të cilën paraprakisht udhëhoqi Arjanit Hoxha i Besës, kanë bërë të ditur burime të TV21 nga kjo parti.

Shaqiri vjen në Bujqësi pasi i njëjti deri më tani ka udhëhequr me Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, ndërkaq ky dikaster, me marrëveshjen që u nënshkrua dje mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi do të udhëhiqet nga AAA.

Se Bujqësia do t’i takojë BDI-së, njoftoi edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

 “Ne hoqëm dorë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, por kemi marrë Ministrinë e Bujqësisë e cila është shumë e madhe dhe ka shumë rëndësi për ne, për arsye se projektet që i kemi paraparë në programin tonë zgjedhor i kemi pikërisht në Ministrinë e Bujqësisë por ishin të bllokuara deri më sot, ndërsa nga sot e tutje do të mund të zbatohen në drejtimin e një kuadri nga BDI”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.

Në pyetjen se a vlerëson BDI se Alternativa e ka merituar të marr aq shumë resore, më shumë se Besa e cila ishte paraprakisht në koalicionin qeverisës, Grubi tha se këto dy parti kanë role të ndryshme.

“Po janë role të ndryshme pasiqë Alternativa është partner i jashtëm i Qeverisë ndërsa Besa ishte pjesë e LSDM-së.”, pohoi Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga partitë tjera që janë pjesë e shumicës parlamentare si Partia Liberal-Demokrate dhe Rilindja demokratike e Maqedonisë, por ato nuk shprehën ndonjë qëndrim.

Zaev pohoi se Alternativa merr disa pozicione më shumë se Besa ndërsa atë e arsyeton me faktin se ata iu bashkëngjitën koalicionit tashmë të formuar.

Ndryshe Alternativa përveç Ministrisë së Administratës dhe Shëndetësisë do të merr edhe disa pozita të disa zv/ministrave dhe do të udhëheq me disa drejtori tjera. Një prej tyre është edhe Mepso.