Protesta të reja priten sot përgjatë Bjellorusisë, ku aktivistët iu bëjnë thirrje banorëve që të dalin në rrugë, pas inaugurimit të Aleksandër Llukashenkos për president me mandatin e ri, të cilin e kontestojnë protestuesit.
Protestuesit duhet në mënyrë simbolike ta nominojnë lideren opozitare në emigrim Svetllana Tihanovskaja për presidente në “inaugurimin e popullit” në orën 13.
Burra të uniformuar dje arrestuan dhjetëra gra në protesta në Minsk, sipas një grupi për të drejtat e njeriut.
Kundërshtarët e Llukashenkos shpresojnë për më shumë protestues sot, pas inaugurimit të tij të paparalajmëruar të mërkurën. Llukashenko thotë se ka fituar 80 për qind të votave, por kritikët dhe shumë vëzhgues ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet ishin të kurdisura.
Bashkimi Evropian këtë javë publikoi një kumtesë në të cilën thuhet se zgjedhjet e 9 gushtit nuk ishin “as të lira e as korrekte” dhe se nuk do ta pranojnë Llukashenkon si president.
Bjellorusia i akuzoi vendet perëndimore para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së dje se po tentojnë të mbjellin “kaos dhe anarki”.
Më shumë se 12.000 persona janë arrestuar pasi presidenti Llukashenko ishte shpallur fitues në zgjedhje. Gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçari Llukashenko udhëheq me Bjellorusinë që nga viti 1994.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Kanada pritet që së shpejti të vendosin sanksione për bjellorusët.
