Ke-ja me raport për përparimin e Maqedonisë! Përparim në planin e rritjes, por nuk ka përpjekje për ndryshime kushtetuese

TË FUNDIT

Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por reformat kyçe në rrugën drejt Bashkimit Evropian mbeten të papërfunduara. Në raportin e progresit theksohet se vendi ka ruajtur harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë qëndrimin ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, duke u cilësuar si partner i besueshëm i Unionit.

Megjithatë, Brukseli konstaton se nuk ka pasur përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat mbeten kusht për vazhdimin e procesit të integrimit evropian. Kritikë të veçantë ka edhe për luftën kundër korrupsionit, ku vlerësohet se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe paraqet shqetësim serioz.

Raporti nënvizon se ndryshimet në Kodin Penal nuk i kanë zgjidhur pasojat e ndryshimeve të vitit 2023, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë. Për administratën publike dhe sundimin e ligjit, vendi vlerësohet me nivel të moderuar të përgatitjes, ndërsa përparim është shënuar në zgjerimin e shërbimeve elektronike.

Komisioni Evropian kërkon zbatim me mirëbesim të marrëveshjeve me fqinjët, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë.