Në paraqitjen e tij të parë televizive, kryeprokurori i ri shtetëror, si shumë të tjerë deri më tani, tha se nuk njeh asnjë funksionar.
“Së pari të ju them se, ndoshta opinioni nuk do të besojë, por më besoni se është ashtu. Së pari unë personalisht, me plot kuptimin e fjalës, nuk njoh asnjë funksionar. D.m.th. në këtë pjesë jam i liruar nga çfarëdo ndikimi eventual nga ana e zyrtarëve, qoftë të pushtetit ose opozitës ose edhe nëse nesër ndryshohet pushteti, kështu që në këtë pjesë nuk kam asnjë problem”, tha Lupço Kocevski, kryeprokuror.
Nuk u përgjigj konkretisht nëse edhe ai do ta bartë hijen e paraardhësve të tij, përkatësisht të përndjekë vetëm ish funksionarë, për shkak se ata që aktualisht janë në pushtet e kanë sjellë në këtë funksion, por paralajmëroi formimin e mekanizmit të pavarur për denoncimin e ndikimeve eventuale dhe presioneve.
Kryeprokurori thotë se në karrierën e tij ka hetuar shumë krime, por nuk ka parë krim siç është vrasja e Vanjës.
“Janë siguruar prova dhe kishte edhe obduksion, e gjithë kjo në interes të gjendjes faktike që prokuroria e konfirmon. Presim ekstradimin, në lidhje me personin që e përmendët Pallçon. Unë mendoj se ekstradimi nga Republike e Turqisë do të bëhet shpejtë, kështu që shpresoj për rezultate të shpejta në këtë lëndë”, shton Kocevski.
Në lidhje me dokumentacionin nga ish PSP dhe objektin ku ishte e vendosur kjo prokurori, Kocevski tha se ka vendosur nënshkrim për prishjen e marrëveshjes për qira të ndërtesës. Hapësira periudhën e kaluar është shfrytëzuar nga dy prokurorë që ishin pjesë e PSP-së. Ai shtoi se të gjithë materialet e rasteve që i ka punuar PSP-ja do të barten në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsion. Janë bartur materialet nga bisedat e përgjuara që ishin arsyeja për formimin e PSP-së.
