Zonja ka alergji nga alkooli, materie që e përmban vaksina Sputnik V, andaj nuk mund ta pranojë të njëjtën.
“Nuk guxoj ta pranoj sepse ngulfatem nga alkooli, e kam të brendshme alergjinë, jo të jashtme. Me sputnik jo, më thanë vetëm me vaksinën kineze, sepse vaksina kineze nuk ka alkool, e pas 15 ditësh prapë të paraqitem dhe të vij”, tha një qytetare.
Zotriu 78 vjeçar ka një problem tjetër. Ai duhet të vaksinohet me AstraZeneca por thotë se është i diagnostikuar me trombozë dhe dëshiron ta ndrrojë vaksinën, mirëpo pa sukses.
“Vetëm vaksina Astra nuk është e duhura për shëndetin tim. Para dy vitesh kisha sulm në tru dhe tani më dy vite konsumoj ilaçe kundër koagulimit. unë provova ta ndërroj, të mos e marr atë vaksinë, por më kthyen. Tani duhet të pres, ndoshta do të hap edhe procedurë. Unë dua vaksinë që do të më përshtatet mua, e jo vaksinë që mund të më bëjë probleme”, tha një tjetër qytetar.
Infermierja Sabiha Starova tha se gjithçka ka shkuar në rregull.
“Të gjithë personat mbi moshën 73 vjeçe u vaksinuan me rregull dhe nuk kishin efekte anësore”, u shpreh SabIHA Starova – Infermiere.
Ndërkaq Ministri i Shëndetësisë njoftoi për vaksina shtesë nga prodhuesi Pfizer, të cilat pritet të vijnë të hënën.
“Të hënën i presim të na vijnë vaksinat e Pfizer, kjo është konfirmuar edhe dje edhe sot. Do të vijnë me aeroplan nga Sofja dhe pastaj me transport special, zinxhirin e ftohtë, në orët e pasidtës, të hënën, këtu në Shkup. Ne jemi të gatshëm edhe me pjesën administrative, gjithçka që ka të bëjë me lejet”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Deri dje janë vaksinuar rreth 35 mijë qytetarë.
