Problemet e romëve zvarriten 30 vjet, racizmi dhe diskriminimi janë ende njollë kryesore

TË FUNDIT

85,6 përqind e romeve nuk kanë vizituar gjinekologun e tyre amë, ndërsa vetëm 3% e qytetarëve janë të përfshirë në masat aktive për punësimin e romëve. Përderisa pjesëtarët e komunitetit rom ende janë viktimë e racizmit, diskriminimit dhe ndarjes, nuk mund të flasim për progres të mjaftueshëm në parandalimin dhe mbrojtjen e romëve në nivel sistemor vlerësojnë nga Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi. Gjendja e tillë e romëve është theksuar edhe më shumë gjatë kohës së pandemisë së Kovid-19, për shkak se, siç thonë, pjesa më e madhe e komunitetit rom përballet me varfëri ekstreme, kushte nën standardin për jetesë dhe mungesë e mbrojtjes adekuate shëndetësore.

“Në mes të pandemisë, problemet sistematike dolën në pah, jo vetëm për komunitetin rom, por për të gjithë. Këto që u paraqitën si probleme ekzistenciale në kuadër të pandemisë me Covid, në fakt janë probleme që paraqiten në sferën e ekonomisë joformale, si dhe në sferën e strehimit. Ne, për këto 30 vjet shtet nuk arritëm t’i legalizojmë lagjet rome. Nuk kemi qasje në ujë, nuk kemi rrugë të asfaltuara. Në kushte të pandemisë kur nuk keni qasje, është shumë vështirë t’u përmbaheni rekomandimeve që vijnë çdo ditë”, deklaroi Albert Memeti nga Instituti “Romalitiko”.

Rritja e papunësisë si dhe mungesa e mbrojtjes sociale, janë një pjesë e problemeve që përballen, thonë për TV21 disa rom të cilët i anketuam gjatë vizitës në Fushë Topane.

“Nuk kemi asnjë dobi nga kjo jetë. Askush nuk i merr parasysh të varfëritë. Pse? Ka njerëz që jetojnë nga ndihma sociale, nga ndihma e mjerueshme. A ta paguajë rrymën, a ta paguajë ujin, televizionin, a ta paguajë spitalin, a të hajë, prej ku të marrë? Asgjë nuk kemi, veç flasim kot”.

“Nuk ka punësime, asgjë nuk ka. Rruga është në gjendje të njëjtë nuk e di për sa vite me radhë. Nuk ka asnjë ndryshim, nuk bëhet asgjë, nuk ka asgjë të re. Gjithçka me të vjetër. Ata premtojnë, por kush do të bëjë diçka?”.

Ajo që në suaza të këtyre 30 viteve nuk u arrit edhe me politikat shtetërore, por edhe me projekte që nuk zbatohen, është targetimi i grupeve më të margjinalizuara, përkatësisht fëmijëve dhe personave që janë të pastrehë që të mundësohet qasje e barabartë deri te kushtet për jetesë dhe ekzistencë. Njëkohësisht, ndërtesa sociale e cila duhej të ndërtohet në Shuto Orizare ende nuk është ndërtuar. Sot shënohet Dita ndërkombëtare e romëve. 8 prilli zyrtarisht është shpallur Dita ndërkombëtare e romëve në vitin 1990 në Kongresin botëror të Unionit ndërkombëtarë për romët në Poloni.

“Dita Ndërkombëtare e Romëve e feston luftën kundër diskriminimit, ndarjes dhe margjinalizimit, dukuri me të cilat romët po përballen çdo ditë në pothuajse çdo sferë shoqërore”, deklaroi gazetarja Ivana Ramadanova.

TË NGJAJSHME