SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme ajrore për ditën e dytë radhazi

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara e kryen një rund të ri sulmesh ajrore ndaj shënjestrave ushtarake në Iran më 10 qershor, duke nxitur Teheranin të kryejë sulme hakmarrëse kundër shënjestrave ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt.

Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se forcat e saj kryen sulme të tjera “vetëmbrojtëse”, duke goditur kapacitetet iraniane të mbikëqyrjes ushtarake, sistemet e komunikimit dhe pozicionet e mbrojtjes ajrore në mbarë Iranin.

Operacioni përfshiu mjete të Korpusit të Marinës së SHBA-së, Forcave Ajrore dhe Marinës Ushtarake, të cilat përdorën municione me precizion të lartë kundër caqeve që Uashingtoni tha se përbënin kërcënim për forcat amerikane dhe për transportin tregtar ndërkombëtar në ujërat e rajonit.

“Sulmet janë përgjigje ndaj agresionit të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm të Iranit”, tha CENTCOM në një deklaratë në orët e para të 11 qershorit, duke shtuar se forcat amerikane janë “syhapur, të fuqishme dhe të gatshme”.

Menjëherë pas kësaj, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kishin goditur shënjestrat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane.

Në një deklaratë, IRGC tha se kishte goditur 18 caqe të lidhura me ushtrinë amerikane në dy valë operacionesh kundër bazave ajrore “Ali Al Salem” dhe “Ahmed Al Jaber” në Kuvajt. Sipas tyre, forcat iraniane goditën gjithashtu bazën ajrore “Sheikh Isa” në Bahrejn.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë njoftuar për shkallën e dëmeve të mundshme, ndërsa ndikimi i sulmeve mbeti i paqartë.

Ministria e Brendshme e Bahrejnit tha se sirenat për sulme ajrore ranë në gjithë mbretërinë e Gjirit për herë të dytë dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të lëvizin drejt vendit më të afërt të sigurt.

Ndërkohë, autoriteti i aviacionit civil të Kuvajtit njoftoi më 11 qershor se hapësira ajrore e vendit është rihapur dhe se trafiku komercial është “kthyer në normalitetit”, pasi një seri sulmesh iraniane shkaktoi mbylljen e tyre të përkohshme.

Përplasja e fundit përbëjnë përshkallëzim të ndjeshëm të konfrontimit midis Uashingtonit dhe Teheranit, duke rritur shqetësimet për paqëndrueshmëri më të gjerë në rajonin e Gjirit dhe për kërcënime ndaj infrastrukturës energjetike dhe rrugëve tregtare detare.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, duke paralajmëruar se Lindja e Mesme po zhytet “gjithnjë e më thellë në krizë” dhe se pasojat shtrihen shumë përtej rajonit.

Një ditë më parë, sulmet ajrore amerikane goditën disa shënjestra në Iran si përgjigje ndaj Iranit për rrëzimin e një helikopteri të ushtrisë amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Më pas, Irani kreu sulme ndaj bazave amerikane në rajon, në një kundërpërgjigje.

Sulmet e 10 qershorit ndodhën vetëm pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se “ne i goditëm fuqishëm dje dhe do t’i godasim përsëri fuqishëm sot”.

Para sulmeve ajrore, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha në X se vendi i tij do t’i bënte ballë çfarëdo trysnie dhe se kërcënimet e Trumpit ishin shenjë e dëshpërimit të Uashingtonit.

Duke folur para gazetarëve, Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë marrë naftë nga Irani.

“Po e bëj publike sot për herë të parë, por ne kemi nxjerrë miliona fuçi naftë, miliona fuçi çdo natë”, tha Trump, duke shtuar se Irani “vetëm tani e ka kuptuar këtë”.

Lidhur me negociatat me Iranin, Trump shtoi: “Ne duam marrëveshje që ka kuptim, duam një marrëveshje që funksionon. Ishim shumë pranë një marrëveshjeje, por ata vazhdojnë të na zvarrisin, vazhdojnë të luajnë me ne sikur të ishim budallenj”.

Trump tha se Irani tashmë është pajtuar për të mos zhvilluar armë bërthamore – një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit – por marrëveshja nuk është nënshkruar ende.

Më herët të mërkurën, bordi i guvernatorëve me 35 anëtarë i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA-ja, e cila kërkon që Irani t’i tregojë rezervat e mbetura të uraniumit të pasuruar dhe t’i lejojë inspektorët të hyjnë në vend.

Ambasadori iranian në Austri, Reza Najafi, i tha AFP-së se rezoluta është “kundërproduktive” dhe pengesë për bisedimet me Uashingtonin.

Më herët, Trump deklaroi se ushtria iraniane është “mposhtur plotësisht”, duke paralajmëruar Teheranin se do të “paguajë çmimin” për faktin se “po vonohet shumë për ta negociuar një marrëveshje” me Uashingtonin.

Teherani dhe Uashingtoni janë përfshirë në negociata që prej 8 prillit, kur një armëpushim i dha fund fushatës së bombardimeve amerikano-izraelite kundër Iranit.

Megjithatë, disa çështje të ndërlikuara kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje, përfshirë fatin e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar, luftën e vazhdueshme të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban dhe kërkesën e Teheranit që Uashingtoni të lirojë fondet iraniane të ngrira jashtë vendit./REL